Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me rrëmbimin e 29-vjeçarit kosovar Fisnik Xhaka në Vlorë, ngjarje për të cilën janë vënë në pranga tre të rinj nga qyteti: Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj. Sipas hetimeve paraprake, Xhaka dyshohet të ketë shërbyer si ndërmjetës në një marrëveshje trafiku droge me persona jashtë Shqipërisë – rol që mendohet të ketë qenë shkaku kryesor i konfliktit.

Informacionet tregojnë se kosovari ishte bërë garant për të tre të arrestuarit, duke siguruar që një sasi lënde narkotike me vlerë rreth 70 mijë euro të dërgohej në një vend të Bashkimit Europian pa pagesë paraprake. Pagesa ishte parashikuar të kryhej më vonë, por paratë nuk u kthyen kurrë, gjë që çoi në përshkallëzimin e tensioneve.

Në vijim, Xhaka u mbajt peng për rreth dy javë, gjatë të cilave dyshohet se ka pësuar dhunë fizike. Ngjarja u zbulua falë denoncimit të motrës së tij, e cila jeton në Suedi dhe njoftoi autoritetet përmes Interpolit. Ky i fundit bashkërendoi veprimet me policinë e Vlorës, që arriti të lokalizonte vendin ku mbahej viktima dhe të arrestonte të dyshuarit brenda pak minutash.

Ndërkohë, avokatët e të arrestuarve kundërshtojnë akuzën e pengmarrjes. Ata kanë depozituar video dhe fotografi ku Xhaka shfaqet duke ngrënë drekë qetësisht me personat e ndaluar, duke argumentuar se mes tyre kishte marrëdhënie miqësore dhe jo situatë detyrimi apo dhune.

Apartamenti ku dyshohet se mbahej peng Xhaka ndodhej vetëm rreth 300 metra nga Komisariati i Policisë së Vlorës dhe ishte i pajisur me kamera sigurie që monitoronin zonën përreth. Pas ndërhyrjes së policisë, 29-vjeçari u shpëtua dhe iu ofrua ndihmë mjekësore për dëmtime të lehta.

Gjatë kontrolleve në banesa, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të lëndës së dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa në banesën e Julian Zogajt, si dhe një radio komunikimi të ngjashme me ato që përdor policia.