Ethem Ruka – Kontribuojnë rreth 1.2 persona për të mbajtur një pensionist. Ky raport është shumë i ulët. Për ta balancuar skemën duhet të shkohet te 3.5 deri në 4 veta që punojnë për të mbajtur një pensionist, me një pension për të përballuar nivelin e jetesës
Eglantina Gjermeni – Ku është drafti i reformës së pensioneve, nuk e kemi parë. Ka të dhëna të sakta lidhur me minimumin jetik. Nga studimet referohet se 50 për qind e shqiptarëve jetojnë me 1 dollar në ditë, pjesa tjetër shpenzojnë mesatarisht 2 dollarë në ditë
Filloreta Kodra – Konstatohet një deficit i lartë i degës së pensioneve, që arrin afërsisht 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe me tendenca përkeqësimi. Nevojitet reformim i sistemit dhe konsensus politik për të realizuar një reformë që do t’i rezistojë kohës
Astrit
Komisioni
Sigurimet shoqërore, ekspertët: Ka emergjencë për ndryshime
Lorina Mixha
Skema e sigurimeve shoqërore ka nevojë për ndryshime emergjente. Aktualisht, Shqipëria konsiderohet me një popullatë të re, por pas disa vitesh, parashikohet se do të jemi një vend me popullsi të plakur e me shumë pensionistë.
Skema e pagesës së kontributeve shoqërore duhet të ndryshojë, pasi deficiti i skemës së pensioneve zë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe po vjen duke u përkeqësuar. Nëse shteti nuk do të ndryshojë skemën e sigurimeve shoqërore, duke nisur nga masa e kontributeve e deri te përdorimi i politikave bashkëkohore, si përfshirje edhe të skemave private, rrezikohen pensionet e të gjithë të rinjve të sotshëm. Dje, në Komisionin e Punëve dhe Çështjeve Sociale, nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, deklaroi se po propozohet si dhe është pjesë e diskutimit mes ekspertëve, që pjesë e ndryshimeve të jetë edhe elementi i skemave profesioneve, si në rastin e minatorëve.
Skemat profesionale
“Për profesione të veçanta, si në rastin e minatorëve, do të ishte i vlefshëm aplikimi i skemave profesionale. Ulja e moshës së daljes në pension për kategori të caktuara, siç janë edhe minatorët, mund të zgjidhet përmes skemave profesionale”, deklaroi Hado. Sipas tij, debati mes ekspertëve lidhet me aplikimin e metodave të reja, të njohura dhe të përdorura edhe në vende të tjera të Europës, por edhe rajonit. Në kolonën e dytë të skemave ku shteti bashkëpunon me privatin janë përfshirë vende si Polonia, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Rumania, Sllovakia.
Skemat profesionale përfshijnë elementë të ndryshëm nga pjesa tjetër e përfituesve, si: mosha e pensionit, masa e përfitimit, përqindja e derdhjes së kontributeve. Mënyra se si do të organizohen më pas këto lloj skemash do të vendoset nga ekspertët e financave dhe grupet e interesit.
“Kjo gjendje treguese e sistemit dhe sidomos qëndrueshmëria e brishtë financiare e tij evidenton përsëri domosdoshmërinë e ndërmarrjes së masave për reformimin e sistemit, si dhe kontributin e të gjitha palëve politike për të realizuar një reformë që do t’i rezistojë kohës. Përgatitja e sistemit për të kaluar drejt një sistemi shumëkolonësh, nëpërmjet forcimit dhe reformimit të skemës aktuale, nxitjes dhe zhvillimit të fondeve private, si kolona të treta të sistemit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore për të siguruar një mbrojtje sociale sa më efikase për moshat e treta. Si dhe krijimi i kolonës së dytë, e cila duhet të jetë e detyrueshme, po që menaxhohet nga subjekte të licencuar privatë”, tha Filloreta Kodra, zv.ministre e Punës.
Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve deklaroi se një nga ndryshimet e tjera të propozuara për përfitimet e invalidëve në këtë rast, të lidhura me dhënien e KEMP-it, është edhe komisioni që përzgjedh kandidatët.
“Duke qenë se komisioni duhet të jetë i përbërë nga profesorë me tituj, atëherë do t’i kërkohet Ministrisë së Shëndetësisë vendosja e një liste ekspertësh, të cilët do të përzgjidhen në mënyrë periodike, nëpërmjet shortit”, deklaroi Hado.
Debatet në komision
Dje, anëtarët e komisionit kanë debatuar lidhur me punën e bërë nga qeveria. Zëvendësministrja e Punës, Filloreta Kodra, ka deklaruar se drafti i ndryshimeve është gati, por nuk është diskutuar për shkak se opozita nuk ka qenë bashkëpunuese. “Nuk keni qenë në Parlament, ndryshimet kanë nevojë për konsensus”, tha Kodra. Deputetja e opozitës, Eglantina Gjermeni, deklaroi se: “Kemi munguar vetëm për pak kohë, për pjesën tjetër kemi qenë atje”. Sipas saj, nuk kemi rritje reale të pensioneve por ulje krahasuar me rritjen e çmimeve të konsumit. Ndërsa rritja që përflitet nga qeveria nuk është reale, është thjesht indeksim. “Nëse pensionistët nuk do të kishin fëmijë, asnjë nga pensionistët nuk do ta përballonte jetën në Shqipëri. Cilësia e jetesës së tyre është ulur”, tha Gjermeni.