Pensionistet italian që jetojnë në Shqipëri im kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, mbi një taksë që mund tu vendoset. La Repubblica shkruan se kjo taksë mund të jetë 15% për pensionet e tyre, të cilët deri më tani nuk janë taksuar. Fillimisht ishte portali “AlbanItaly”, i drejtuar nga ish-gazetari i “RAI”, Giuseppe Mazzei, që ka raportuar mbi këtë situatë.

Një grup i madh pensionistësh ka dërguar letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësimin për barrën fiskale të mundshme. Sipas tyre, ata mund të detyrohen të paguajnë taksën bazë të biznesit prej 15% të të ardhurave dhe të plotësojnë deklaratën vendore të të ardhurave, të quajtur “Diva”.

Shqetësimi ka lindur pas ndryshimit të ligjit fiskal në janar 2024. Ligji i vitit 2019 përjashtonte nga taksat shtetasit e BE-së me leje qëndrimi në Shqipëri, përfshirë italianët. Ligji i ri kufizon përjashtimet vetëm te të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke ofruar një mbrojtje më të dobët. Megjithatë, gjatë vitit 2025, administrata tatimore nuk ka kërkuar pagesa nga pensionistët italianë, por frika dhe pasiguria janë rritur.

Pensionistët italianë marrin mesatarisht 3,500 euro në muaj dhe shumë kanë nisur t’u drejtohen CAF-eve dhe Drejtorisë së Tatimeve për sqarime, por informacionet mbeten të pasakta dhe kontradiktore. Sondazhet tregojnë se një taksë 15% mund t’i shtyjë të zhvendosen në vende më miqësore fiskalisht si Sllovakia, Hungaria dhe Kroacia.

Një largim i tillë do të kishte ndikim ekonomik për Shqipërinë, pasi pensionet italiane që hyjnë në vend arrijnë mbi 136 milionë euro në vit, të shpenzuara kryesisht për konsum lokal, qira, supermarketet, restorante dhe mallra të ndryshme.