Një fuoristradë e shkrumbuar nga flakët është zbuluar brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar personat që e kanë çuar automjetin në këtë vend.

Makina u konstatua rreth orës 23:00 të së hënës, pranë një aksi të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me disa prej fshatrave të zonës.

Verifikimet e para kanë zbuluar se fuoristrada nuk ishte në pronësi të personave që dyshohet se e kishin përdorur së fundmi. Automjeti rezultonte i denoncuar si i vjedhur kohë më parë në fshatin Panaja.

Mënyra se si makina është gjetur, e djegur dhe e fshehur në një tunel të vjetër, ka bërë që hetuesit të verifikojnë disa pista. Një prej tyre lidhet me mundësinë që fuoristrada të jetë përdorur në aktivitete të paligjshme dhe më pas të jetë braktisur e djegur për të zhdukur gjurmët.

Për të rindërtuar lëvizjet e automjetit, policia po grumbullon pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në zonat përreth. Materialet filmike pritet të ndihmojnë në përcaktimin e itinerarit të ndjekur dhe në identifikimin e personave që e kanë transportuar apo drejtuar atë drejt tunelit.

Pjesë e hetimeve është gjithashtu përcaktimi i momentit kur fuoristrada është dërguar në Cërkovinë, periudha gjatë së cilës mund të jetë përdorur pas vjedhjes dhe arsyet që çuan në djegien dhe braktisjen e saj.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.