Kryeministri Edi Rama ka theksuar se kapitulli i bujqësisë mbetet një nga më sfiduesit për Shqipërinë, duke bërë thirrje për një përfshirje të mëtejshme të sektorit në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, Rama u shpreh se buxheti i alokuar për sektorin bujqësor është 100 milionë euro, me qëllim mbështetjen e çdo projekti që kontribuon në zhvillimin e tij.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e inovacionit dhe edukimit në bujqësi, duke shpërndarë mbështetje për projektet që do të përmirësojnë përformancën e fermerëve. Ai gjithashtu shprehu shpresën se Universiteti i Bujqësisë së Tiranës do të jetë pjesë e këtij procesi, duke ofruar mundësi të reja dhe frymë inovative për sektorin.
“Shpresoj që në këtë platformë të jetë dhe nëse nuk është të futet Universiteti i Bujqësisë së Tiranës sepse është një derë e re që ka një frymë të re për ju. Dhe përsëri kam fatin e keq duhet të falënderoj një demokrat që drejton universitetin, por ne na lidh fakti që as ai as unë nuk kemi më flokë në kokë, kemi vetëm pasion të përbashkët për t’i bërë gjërat si duhet”, u shpreh kryeministri Rama.
