Rrogozhinë


ne RrogozhineGjermeni: Sivjet, fondi për përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve është rritur me 20%


Më në fund, një godinë e re strehimi për anëtarët e komunitetit rom në Rrogozhinë. Investimi është realizuar falë financimit të Ministrisë së Zhvillimit Urban, që ka vënë në dispozicion të këtij komuniteti një ndërtesë tërësisht të re, 2-katëshe, për strehimin e 8 familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian.   Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka inspektuar punimet për zbatimin e projektit, i cili ka një vlerë prej 9.6 mln lekësh, nga buxheti i MZHU. “Për vitin 2016 fondi i alokuar në buxhetin e ministrisë për projekte dedikuar përmirësimit të kushteve të jetesës të komunitetit rom dhe egjiptian është në vlerën 105 milionë lekë. Krahasuar me një viti më parë ky fond është rritur me 20% duke parë dhe kërkesën e ardhur nga bashkitë për investime në sektorin e strehimit për përmirësimin e kushteve të jetesës për këtë komunitet. 1 nga 9 projekteve është dhe ky që inspektojmë sot(dje)në Rrogozhinë. Ky është projekti i parë kur ndërtohet një godinë tërësisht e re. Mora garancinë nga drejtuesit e firmës se godina do t’i dorëzohet familjeve brenda 3 muajve”, u shpreh Gjermeni. Bashkia Rrogozhinë është një ndër njësitë vendore të mbështetura edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, për vitin 2016. Shumë shpejt do të fillojë puna edhe për zbatimin e projektit për rivitalizimin e qendrës së qytetit. Një projekt ky i financuar në vlerën mbi 149 milionë lekë nga FZHR, që do t’i ofrojë një pamje të re dhe vitale qytetit me hapësira rekreative dhe çlodhëse për të gjithë qytetarët. “Ky është një investim i rëndësishëm, pasi është i pari që bëhet pas 25 vitesh në këtë qytet. Bashkia Rrogozhinë është dhe një nga 26 bashkitë që po mbështet nga Qeveria për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili do të jetë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e integruar të të gjithë territorit nën administrimin e kësaj bashkie. Unë u bëj thirrje këshillave bashkiake në 26 bashkitë ku po punohet për këto plane vendore, që këto dokumente të rëndësishme planifikuese të miratohen unanimisht, pasi nuk i përkasin një force politike, por u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe të ardhmes së këtyre rajoneve”, deklaroi ministrja e Zhvillimit Urban.