Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, një strategji që synon forcimin e masave për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka shpërndarë një videomesazh të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Sipas saj, hepatitet virale përbëjnë një nga shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, ndaj eliminimi i tyre është një nga prioritetet e politikave shëndetësore në vend.
Ministrja theksoi se plani synon të reduktojë infeksionet e reja, të rrisë diagnostikimin e hershëm dhe aksesin në trajtim, si edhe të ulë numrin e rasteve me cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Sipas saj, zbatimi i kësaj strategjie pritet të kontribuojë në shpëtimin e më shumë jetëve dhe në përmirësimin e shëndetit të popullatës, përmes një qasjeje të koordinuar për kontrollin dhe eliminimin e hepatiteve virale.
