Taulant Balla ka folur për Top Channel në një lidhje direkte nga qendra e votimit tek Parku Olimpik në Tiranë ku ka shpjeguar ecurinë e numërimit të votave të diasporës. AI falënderoi shqiptarët e diasporës për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke e cilësuar procesin historik.
Gjithashtu kërkoi që numërimi të përfundojë sa më shpejt dhe të respektohet vullneti i qytetarëve. Sipas Ballës, PD po gabon në qasjen ndaj diasporës, e cila ka treguar pjekuri politike dhe mbështetje për rrugën europiane të Shqipërisë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për transparencë dhe kujdes maksimal në numërim.
Sa i përket deklaratës së Jozefina Topallit ai tha se nuk i takon të krahasoj Shqipërinë e tanishme me diktaturën dhe komunizmin pasi shqiptarët dhe ajo vetë e ka vuajtur atë kohë.
“Nuk i kam ndjekur fare si shkon numërimi i votave për kolegët. Rëndësi ka që ky proces të mbyllet sa më shpejt dhe sigurisht që verdikti i qytetarëve të respektohet një më një. Sa i përket Tiranës si kryeqytet i Europës, kujt i vinte mendja që nga 2013, kur bufi drejtonte vendin, do të bëhej një samit, i cili s’është i vetmi ky. Edhe në samitin e parë pati një protestë të bufit. Ka një të mirë që është i parashikueshëm e patëm thënë fjalë për fjalë çfarë do thoshte Saliu ditën e martë, dhe ai doli e tha që ‘lufta sapo ka filluar’ dhe ishin zgjedhjet e manipuluara. Kur e tha Luli këtë ‘lufta sapo ka filluar’, e kuptuam që ja thoshte Berisha.
Faleminderit shqiptarëve të diasporës për pjesëmarrjen në zgjedhje që i bëri këto zgjedhje historike. Faleminderit atyre që na besuan dhe atyre që s’na besuan. Dhe e treta, është e rëndësishme të mbyllet ky proces. Bëhet fjalë për një qendër votimi ku ndodhen shumë zarfa, plus ndarja e zarfave të Greqisë si një vendimmarrje e pakuptimtë. Kjo solli një vonesë, dhe pastaj hapja e zarfave, numërimi i një kutie shkon deri në 2 orë.
Asnjëri nga ne s’e di çfarë ndodh me kutitë e votimit. Të gjitha palët, më së shumti PD që ka gjysmën e numëruesve, duhet të garantojnë që të jenë të pranishëm numëruesit, pse jo, pa ndërprerje, për ta mbyllur këtë gjë. T’ju them të drejtën, PD po gabon në qasjen ndaj diasporës. Shqiptarët kanë vuajtur nga komunizmi, diktatura, por diaspora ka votuar duke vendosur në peshore si ka ecur Shqipëria kohët e fundit dhe ku synon Edi Rama ta çojë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme. Shqiptarët në diasporë janë gjykatës të pa ndikuar, dinë ta bëjnë ndryshimin dhe elementi thelbësor dihet, shqiptarët nëpër botë janë krenarë ndërsa shohin që Shqipëria ecën drejt BE dhe ecën përpara.
Përsa i përket reagimit të Topallit, tani ka dalë një kuti me 3 vota të PD, merita kryesore i takon vëllezërve në diasporë.”, përfundoi Balla