Një gabim në raportimin mediatik të një operacioni të Prokurorisë së Fierit ka sjellë reagimin e qytetarit Kastriot Haskaj, i cili është identifikuar gabimisht si një prej personave të arrestuar në kuadër të hetimit për tjetërsimin e pronave.
Çështja lidhet me arrestimin e dy ish-drejtuesve të Kadastrës së Fierit dhe një tjetër personi, të dyshuar për përfshirje në një procedurë të paligjshme lidhur me një sipërfaqe toke në zonën e Semanit.
Në disa publikime, personi i arrestuar me mbiemrin Hasko është raportuar gabimisht si Haskaj. Si pasojë e këtij lapsusi, emri i Kastriot Haskajt është lidhur me një çështje penale me të cilën, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje.
Përmes avokatit të tij, Haskaj i është drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke kërkuar korrigjimin e informacionit të publikuar. Në ankesë argumentohet se Hasko dhe Haskaj janë dy persona të ndryshëm, me identitete dhe të dhëna personale të ndryshme.
Sipas qytetarit, situata është rënduar edhe më tej pasi në disa materiale janë përdorur fotografi që lidhen me aktivitetin e tij profesional, duke krijuar përshtypjen se ai ishte personi i arrestuar.
Haskaj ka pretenduar se publikimi i emrit dhe imazheve të tij në lidhje me një procedim penal i ka dëmtuar reputacionin dhe figurën e tij profesionale.
Pas marrjes së ankesës, AMA ka kontaktuar mediat ku ishte publikuar informacioni i pasaktë, duke kërkuar trajtimin e situatës. Sipas Autoritetit, gabimi është korrigjuar menjëherë.
AMA ka rikujtuar mediat për rëndësinë e verifikimit të identitetit dhe të dhënave përpara publikimit të një lajmi, veçanërisht kur bëhet fjalë për procedime penale, pasi një pasaktësi e tillë mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
