Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me sipërmarrës, nga ku deklaroi se ndërtimi futet në kornizën e akuzave për lidhjet me krimin, dhe kjo sipas tij është e neveritshme dhe e papranueshme.
Rama kishte një përgjigje për të gjitha akuzat që hidhen mbi këtë sektor dhe aludojnë se pastrohen paratë.
“Për të gjithë ata që lehin, në çdo gjuhë që lehin, nga shqipja deri në anglisht dhe gjuhë të tjera, dhe që menjëherë nxitojnë ta kokrrizojnë këtë transformim të Shqipërisë dhe Tiranës si transformimin e krimit, sot që flasim ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që janë të porositura dhe nuk paguhen me cash, por me bankë”, tha kreu i ekzekutivit.
“Të bëjmë një diskutim dy anësh, nga njëra anë çfarë është bërë deri tani dhe nga ana tjetër një projekt që është ambicie e të ardhmes dhe që është pasqyrë e një sektori të ndërtimit i cili në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fat të keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e së nesërmes, është një sektor që merr vazhdimisht goditje, sulme, baltë, që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij“, deklaroi Rama.
“As nuk e vë në diskutim që as në këtë sektor, si në çdo sektor tjetër, sikundër në Shqipëri ashtu dhe në do vend tjetër, ka probleme. Problemet këtu në Shqipëri patjetër që janë më të mprehta në disa raste sesa janë në disa vende të tjera. Nuk e vë në diskutim që jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër dhe e qartë si drita e diellit dhe është e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses evident të Shqipërisë, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.
Pa diskutim që këto apartamente nuk i blen dot as një i varfër dhe as një njeri që jeton me një pagë të ulët apo mesatare. Por ama, nga ndërtimi i këtyre apartamenteve bashkia e Tiranës dhe bashkitë që ndërtojnë të tilla, marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit, për të ndërtuar dhe investuar në skema të strehimit social. Pra kontribuojnë edhe për strehimin e përballueshëm këto ndërtime“, deklaroi Rama.
“Integrimi nuk është thjeshtë që ne do bëhemi pjesë e BE dhe këtu nuk do vijë njeri, por si kudo këtu do blejnë shtëpi, do hapin biznese, do çojnë fëmijët nëpër kopshte dhe këto ndërtime janë pjesë e ambicies që ka Shqipëria, nuk janë skena krimi por transformimi.
Lloj-lloj teorish, lloj-lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë”, tha kreu i qeverisë.
“Për të gjithë ata që lehin, në shqip e anglisht…”, Rama për akuzat e pastrimit të parave në ndërtim: Baltosje, s’pranojnë dot suksesin
“ Lloj-lloj teorish, lloj-lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë”
