Gazetari Flamur Vezaj ka folur për personat e burgosur në Shqipëri që vizitohet nga vajza të botës së showbizit dhe eskorta. Në një lidhje live për emisionin “Opinion” Vezaj tha se janë disa nga emrat më të njohur të grupeve kriminale që kryejnë takime me vajza të njohura. Gazetari shprehet se ekzistojnë video të bëra nga vet të burgosurit në momentin që kanë zhvilluar takime intime me këto vajza.

Vezaj thekson se shpesh këto takime realizohen edhe duke shkelur ligjin, pasi personat që hynë në takime me të burgosurit duke regjistruar emrat e të afërmeve të tyre dhe jo emrin e vërtetë. Kjo metodë përdoret, tha gazetari, për shkak se sipas ligjit, vetëm bashkëshortja ose bashkëjetuesja mund ta takojë një të burgosur.

Gazetari bëri me dije se brenda një periudhe tremujore (maj–korrik) janë identifikuar të paktën 17 vajza VIP, përfshirë personazhe të njohura nga TikTok, “reality show”, apo të prezantuara si “asistente-avokate” dhe “psikologe”, të cilat kanë kryer takime në burgje të ndryshme kundrejt pagesave që nisin nga 3 mijë euro e sipër, ku çmimi varion në bazë të popullaritetit dhe ndjekësve që ato kanë në rrjetet sociale.

“Më rezultuan 17 deklarata noteriale, të cilat deklaronin për bashkëjetesa për të bërë takime special nëpër burgje. Ligji është që duhet të jesh i martuar, ose i fejuar, por e kanë ndryshuar rregulloren pak vite më parë dhe e kanë përfshirë edhe bashkëjetesën. Por tek bashkëjetesa në momentin që merr një deklaratë noteriale duhet t’i provosh noterit deklaratën e qira, foto të pushimeve dhe gjëra të tilla. Fatkeqësisht më rezulton se në 17 raste të tilla, noterët jo vetëm që nuk i verifikojnë këto raste, por i kanë lëshuar këto deklarata noteriale edhe me emra fiktivë të personave të ndryshëm. Më rezulton që e njëjta femër ka hyrë në dy burgje të ndryshme dhe ka takuar dy personash me emra të ndryshëm.

Për tre muaj, nga muaji maj deri në muajin korrik kanë hyrë 17 vajza të ndryshme. Disa janë të deklaruara sikur janë të dashura, disa janë personazhe të njohura të rrjeteve sociale të TikTok, disa janë vajza të njohura të “reality show” dhe ka vajza nën emër të “asistent-avokates” apo “psikologes” që hyjnë dhe takojnë personazhe të ndryshëm. Janë personazhe të ndryshëm dhe kjo varion prej kohësh në fakt. Më rezulton që shumica prej tyre janë eskorta, të cilat shkojnë kundrejt pagesave të ndryshme. Nga personat që më kanë shkruar variojnë çmime të ndryshme mbi bazë të personit se sa ka shikueshmëri në rrjetet sociale, ose se sa është e njohur. Variojnë me shuma të ndryshme, me 3 mijë euro e sipër. Por nuk e di ekzatësisht, sepse nuk janë informacione të konfirmuara,” tha Vezaj ndër të tjera.