Forumi i Grave të Partisë Popullore Europiane ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ndaj Albana Vokshi, gjatë seancës plenare të Kuvendit ditën e djeshme. Balla i tha Vokshit se “për të kishte numrin 0900”, që sipas Partisë Demokratike i referohej linjave telefonike “hot-line”.

“EPP Women” thekson se “komentet e tilla dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike dhe se indiferenca e shumicës ndaj incidentit është e papranueshme”.

“Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike,” thekson “EPP Women” në deklaratën zyrtare.

Grupi shpreh solidaritet të plotë me Vokshin dhe bën thirrje që të gjithë aktorët politikë të respektojnë dinjitetin e grave dhe të shmangin gjuhën dhe sjelljet seksiste.

Reagimi i plotë:

Ne, EPP Women, dënojmë fuqishëm sulmin verbal me natyrë seksiste të kryetarit socialist, Taulant Balla, drejtuar zv/kryetares sonë, Albana Vokshi, gjatë seancës plenare të fundit të Kuvendit të Shqipërisë, duke sugjeruar se numri i saj është “0900” – referencë për një linjë seksi! Komentet seksiste dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike. Dështimi për të adresuar këtë incident gjatë seancës është i papranueshëm.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me zv. kryetaren tonë dhe bëjmë thirrje për të gjithë aktorët politikë, veçanërisht ata të shumicës qeverisëse, që të ndalojnë përdorimin e gjuhës dhe sjelljeve që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat e grave. Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike!