Duket se mungesat në seancën plenare ku u votua për imunitetin e deputetes Belinda Balluku kanë krijuar përplasje brenda Partisë Socialiste. Kreu i grupit parlamentar të majtë, Taulant Balla deklaroi në një konferencë për mediat sot se mund të të mbledhë grupin socialist për të marrë një vendim lidhur me mungesën e Elisa Spiropalit në atë seancë.
Nuk ka vonuar edhe përgjigja e deputetes, e cila ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale. Spiropali ka reaguar duke thënë se është plotësisht dakord të kërkojë konsultim dhe të flasin pa vonesë.
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.”- shkruan Spiropali.


