Tensione janë regjistruar sërish në Kuvend mes deputetit të Partisë Socialiste, Ardit Bido, dhe deputetit të “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, gjatë një debati për Zvërnecin dhe Çamërinë. Debati u shoqërua me tone të larta dhe ndërhyrje të ndërsjella, duke e tensionuar seancën plenare.
Debati:
Bido: Zvërneci, për atë të cilin gjoja u çuan këta sharlatanë dhe me të drejtë mijëra shqiptarë, që më pas ikën nga sheshi dhe mbetën sharlatanët. E drejta e pronës për banorët e Zvërnecit është e drejtë legjitime. Si deputeti i vetëm që ka folur me emra, kur këta populistë antishqiptarë qepnin gojën. E them sërish që banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e pronës. Sot jemi në një ditë të mirë. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes së pronës është bllokuar. Të heshtet politikisht për Zvërnecin për këta që bëjnë patriotin e madh, por s’flasin për të drejtat e pronësisë është sharlatanizëm. Sot shohim në protestë se si 60 huliganë, jo qytetarë, të frymëzuar nga sharlatanët, mirëpresin me vezë në xhep Vangjel Dulen e Redi Muçin. Banorët e Zvërnecit kanë të drejtë dhe këtë e mbështet SPAK me vullnetin e PS. Këta sharlatanë që duan të nxisin gjuhën e urrejtjes s’kanë vend në politikën shqiptare. Diskriminimi është gjuha e urrejtjes, koshi i plehrave që frymëzon këta dhe u thonë anëtarëve të bëjnë protesta me koshat e plehrave, kur në fakt në koshin e plehrave të historisë do kenë vetëm emrin e tyre.
Muçi: Shoku Bido, s’më ndjek në rrjetet sociale, po rithem që Lëvizja Bashkë, ku bëj pjesë, është e vetmja parti që përmend në mënyrë specifike popullin çam dhe të drejtën për t’u njohur nga shteti grek. Pusho Bido, pusho! Jam i vetmi deputet që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit në Gazë. Nuk kam kompleks që të them se nuk janë grekë që ia kanë përkushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Debatet e nacionalizmit mbase pinë ujë te ata që të ndjekin ty.
Bido: Redi Muçi lër mandatin e deputetit. S’je askush për të bërë përçarje ndaj popullit shqiptar. Shqiptarët e Çamërisë janë shqiptarë. Përçarje ndaj popullit tonë nuk bëhet jashtë Kuvendit. Je i pacipë. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Përçarjen e popullit shqiptar s’e bën dot. PS është një forcë që do ju mbysë politikisht.
Muçi: Më vjen keq që më duhet të marr kohën duke u marrë me replika të këtij lloji nacionalizmi nga një njeri i pështirë. Unë kur fola për popullin çam iu referova popullit shqiptar të Çamërisë. Fry fyellit se je në vrimën e gabuar, ndrysho pak vrimën e fyellit, sa më shumë i fryn aq më shumë leqendisesh.
