Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Banka e Rreme 2”, duke goditur një skemë mashtrimi kibernetik që synonte vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve përmes mesazheve false në telefon.
Sipas autoriteteve, qytetarëve u dërgoheshin SMS në emër të një banke të nivelit të dytë, ku u kërkohej të përditësonin të dhënat e tyre bankare përmes një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar.
Si pasojë e kësaj skeme, disa persona kanë rënë pre e mashtrimit duke dhënë informacionet sensitive bankare.
Në kuadër të operacionit u arrestua në Tirana shtetasi holandez I.K., 25 vjeç, i dyshuar si autor i skemës, ndërsa një tjetër person me inicialet A.R. është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor.
Hetimet u zhvilluan nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorinë.
Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Policia apelon që qytetarët të mos klikojnë linke të dyshimta dhe të mos japin asnjëherë të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve telefonike, duke theksuar se bankat nuk kërkojnë informacione sensitive përmes SMS-ve.
