Beltina GuceShumica e prindërve janë të familjarizuar me antibiotikët pasi janë ndër medikamentet më shpesh të përdorura në sëmundjet akute tek fëmijët. Jo rrallëherë antibiotikët keqpërdoren dhe në këto kushte gjendja e fëmijës jo vetëm që nuk përmirësohet, por mund të përkeqësohet si pasojë e efektit anësor të përdorimit të tyre. Doktoresha pediatre, Beltina Guçe, në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqip”, rekomandon prindërit se kur ata duhet tu japin antibiotikë fëmijëve të tyre. Sipas saj, ka një keqinformim të përgjithshëm në lidhje me përdorimin e antibiotikëve, llojin e tyre dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Këshilla me thelbësore për prindërit është që asnjëherë të mos nisin antibiotikë pa u konsultuar paraprakisht me mjekun. Zgjedhja e një antibiotiku duke u konsultuar vetëm me farmacistin mund të dëmtojë  më shumë shëndetin e fëmijës tuaj. Më poshtë  janë  të  renditura pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta që i shqetësojnë prindërit në lidhje me përdorimin e antibiotikëve.


 


10bff2ce-83e5-48cd-b62f-ac10bf5e7add---0Kur fëmija merr ftohje, a është e nevojshme që të marrë antibiotikë?


Ato që ne quajmë ftohje në gjuhën e përditshme, janë zakonisht të shkaktuara nga viruset. Antibiotikët përdoren në mënyrë specifike  për infeksionet që shkaktohen nga bakteret dhe nuk janë në gjendje të luftojnë viruset. Në përgjithësi shumica e ftohjeve  me simptoma të tilla si; rrjedhje hundësh, kollë, bllokim hundësh, skuqje sysh etj- janë ftohje të lehta dhe fëmija juaj do të bëhet mirë pa qenë nevoja e përdorimit të antibiotikëve.


A nuk ndodh që disa ftohje kthehen në infeksione bakteriale? Pse duhet të presim për fillimin e antibiotikëve?


Në shumicën e rasteve infeksionet virale nuk kthehen në infeksione bakteriale. Përdorimi i antibiotikëve për të trajtuar infeksionet virale mund të çojë në infeksione të shkaktuara nga baktere që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Gjithashtu, në rast të përdorimit pa vend të tyre fëmija juaj mund të përjetojë efekte anësore të tilla si diarreja. Nëse gjatë përdorimit të antibiotikëve fëmija juaj fillon të ketë diarre të ujshme, ose diarre me gjak vini menjëherë në dijeni mjekun e fëmijës tuaj.


Nëse sekrecionet e hundës janë në ngjyrë jeshile apo te verdhë, a është kjo shenjë e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret? 


Prindërit duhet të informohen lidhur me faktin se gjatë një ftohje të zakonshme, është normale që sekrecionet nga hundët të trashen dhe të ndryshojnë ngjyrë nga ajo transparente në ngjyrë të verdhë në jeshile. Simptomat zakonisht zgjasin për 10 ditë.


Sinusiti është një term që nënkupton inflamacion të sinuseve, këto të fundit janë hapësira të vogla në murin e kockave të fytyrës dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me hapësirën e hundës nëpërmjet kanaleve. Një virus apo allergen mund të shkaktojë sinusitis dhe në disa raste infeksioni mund të shkaktohet nga një bakter.


Edhe pse është shpeshherë e vështirë të dallohet, ka disa shenja të veçanta, që tregojnë se fëmija juaj mund të jetë duke kaluar një infeksion bakterial të rrugëve respiratore. Nëse fëmija juaj ka një ftohje të zakonshme me kolë dhe sekrecione jeshile që zgjasin më shumë se 10 ditë ose nëse fëmija juaj ka sekrecione të trasha me ngjyre jeshile apo të verdhë dhe temperaturë më të lartë se 390 C, për të paktën 3 ose 4 ditë, kjo mund të jetë shënjë e sinusitit bakterial.


Në rastet kur infeksioni i sinuseve është me natyrë bakteriale, duhet filluar trajtimi me antibiotikë. Por fillimi i terapisë mund të vendoset vetëm nga mjeku pasi ky i fundit ka vizituar fëmijën tuaj.


Në rastet e infeksioneve të veshit, a duhet të përdor gjithmonë antibiotikë për fëmijën tim? 


Jo të gjitha infeksionet e veshëve trajtohen me antibiotikë. Të paktën gjysma e infeksioneve të veshëve kalojnë pa antibiotikë. Nëse fëmija juaj nuk ka temperaturë të  lartë apo dhimbje të fortë, mjeku i fëmijës tuaj mund të rekomandojë fillimisht vetëm ndjekjen e gjendjes së fëmijës për të parë ecurinë e sëmundjes.


Meqenëse  dhimbja është simptoma më e shpeshtë dhe ajo që shkakton më shumë probleme në rastin e infeksionit te veshit, mjeku i  fëmijës tuaj do të rekomandojë fillimisht përdorimin e barnave që lehtësojnë dhimbjen të tilla si ibuprofeni apo paracetamoli. Jini të kujdesshëm në mënyrë të tillë që të administroni dozën e duhur në varësi  të peshës dhe moshës se fëmijës tuaj. Në shumicën e rasteve gjendja e fëmijës tuaj do të përmirësohet brenda 1-2 ditëve. Gjithashtu ilaçet me pika në vesh mund të përdoren për të qetësuar dhimbjen, por edhe në këto raste duhet paraprakisht të konsultoheni me mjekun. Fillimi i antibiotikut bëhet në rastin kur fëmija juaj vazhdon të ketë temperaturë, dhimbja bëhet më e fortë dhe mjeku konstaton inflamacion të daulleve të veshëve.


Në rastet e skuqjes së fytit a duhet të përdoret gjithmonë antibiotiku?


Jo. Më shumë se 80% e skuqjeve te fytit janë të shkaktuara nga viruset. Nëse fëmija juaj ka skuqje fyti, rrjedhje hundësh dhe kollë lehëse shkaktari i kësaj në shumicën e rasteve është një virus. Antibiotikët duhet të përdoren vetëm në rastet e skuqjeve te fytit të shkaktuara nga streptokoku i grupit A. Ky lloj infeksioni zakonisht prek fëmijët e moshës shkollore dhe jo fëmijët më të vegjël se 3 vjeç. Në të tilla raste preferohet që të bëhet paraprakisht një testim mbi streptokokun dhe më pas fillimi i antibiotiko-terapisë.


 A shkaktojnë antibiotikët efekte anësore?


Një në 10 fëmijë që janë duke përdorur antibiotikë do të shfaqë efektet anësore. Efekte te tilla mund të përmendim, rashet, reaksionet alergjike, të përzierat, të vjellat, diarreja dhe dhimbja e stomakut. Nëse fëmija juaj ka patur më përpara reaksione alergjike nga ndonjë prej antibiotikëve, sigurohuni që të informoni mjekun e fëmijës tuaj.


Në disa raste mund te kemi shfaqjen e rashit ndërkohë që fëmija është duke u trajtuar me antibiotikë. Megjithatë, jo të gjitha rashet duhen konsideruar reaksione alergjike. Skuqjet të ngritura mbi nivelin e lëkurës janë shpeshherë reaksione dhe gjithmonë duhet te  informoni mjekun në raste shfaqjesh të tilla gjithashtu duhet shënuar në të dhënat mjekësore të fëmijës tuaj, në këtë mënyrë do të bëhet kujdes në përdorimin e mundshëm të antibiotikut  në të ardhmen


 Zakonisht sa kohe duhet që antibiotiku të fillojë të japë efektin?


Shumica e infeksioneve bakteriale përmirësohen brenda 48 deri 72 orë nga fillimi i antibiotikut. Nëse simptomat e fëmijës tuaj nuk përmirësohen apo bëhen më keq gjatë 72 orëve, vëreni në dijeni mjekun pediatër. Gjithashtu jini të kujdesshëm me kohëzgjatjen e trajtimit. Nëse mjekimi ndërpritet herët, infeksioni mbetet jo plotësisht i trajtuar dhe mund të rifillojnë simptomat.


 A çon përdorimi i antibiotikëve në rezistencë bakteriale?


Përdorimi dhe ripërdorimi i keq i antibiotikëve çon në rezistencë bakteriale. Baktere rezistente janë ato baktere që i kanë rezistuar antibiotikut dhe këto baktere mund të shpërndahen tek fëmijët e tjerë apo tek të rriturit.


Është e rëndësishme që tek fëmija juaj të përdoret antibiotiku i duhur në varësi të infeksionit dhe jo një antibiotik i zgjedhur rastësisht. Nëse fëmija juaj ka një infeksion nga baktere që janë rezistente ndaj antibiotikëve shpeshherë është i domosdoshëm shtrimi i fëmijës në spital dhe fillimi ë antibiotikëve intravene.


Çfarë janë barnat antivirale ?  


Gripi është një infeksion viral i cili ka shenjat dhe simptomat e të ftohurit dhe përdorimi i antiviralëve është në disa raste zgjidhja. Medikamentet antivirale përshkruhen më shpesh për fëmijët që janë në rrezik të sëmuren rëndë nëse preken nga gripi, si për shembull fëmijët me probleme të imunitetit, fëmijët nën trajtim me medikamente për reumatizmin apo sëmundje malinje etj. Për shumicën e simptomave të të ftohurës medikamentet antivirale nuk rekomandohen dhe nuk janë të efektshme.


Si mund ti përdor antibiotikët në mënyrë të sigurt?


Antibiotiket nuk janë gjithmonë zgjidhja për një fëmijë të sëmurë. Përpara përdorimit të tyre konsultohuni gjithmonë me mjekun pediatër. Antibiotikët funksionojnë kundër infeksioneve bakteriale. Ato nuk funksionojnë në simptomat e të ftohtit apo grip. Sigurohuni  që po e jepni mjekimin në mënyrën si mjeku ka rekomanduar.


Mos përdorni antibiotikun e fëmijës për vëllain ose motrën  apo çdo fëmijë tjetër. Ju mund të jepni medikamentin ose dozën e gabuar dhe të shkaktoni dëm.  Hidhini antibiotikët e pa përdorur. Mos i ruani ato për përdorime të ardhshme, përdorimi i tyre mund të dëmtojë shëndetin e fëmijës tuaj.


18 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)