Kryeministri Rama nuk i ka kursyer dhe kritikat për sistemin e drejtësisë, gjatë fjalës së tij në asamblenë e Partisë Socialiste.

Kryeministri deklaroi se gjykatësit paguhen më shumë se mjekët apo mësuesit, e megjithatë, e përdorin pushtetin për të goditur interesat e shtetit. Nga këto akuza, Rama nuk përjashtoi as Prokurorinë e Posaçme, për të cilën tha se ka intimiduar persona me paraburgim.

“Kur sheh sesi individë që paguhen nga taksat tona më shumë se mësuesit, mjekët dhe infermierët, e përdorin për të goditur interesat e shtetit të zë lemeria nga rishfaqja e drejtësisë së vjetër me fytyrë të re. E vërteta e madhe është se nuk bën përjashtim as SPAK-u dhe as gjykata speciale që nuk po del ende nga hija e SPAK.

Të dyja këto institucione na kanë dhënë arsyen për tu habitur dhe shqetësuar. Intimidimi i personave në dijeni, paraburgimi si presion publik dhe juridik me qëllim për të linçuar persona të ndryshëm. Kura për këto sëmundje nuk është kthimi pas në rrugën  e pavarësisë së drejtësisë, duhet durim. Institucionet rriten shumë më vonë se fëmijët, duhet largpamësi por asnjë hap pas, sepse çdo hap i tillë është larg drejtësisë europiane.”-tha Rama.