Mbi 26 mijë maturantë në të gjithë vendin kanë përfunduar provimin e fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndëve me zgjedhje, duke mbyllur kështu një nga fazat më të rëndësishme të sistemit arsimor parauniversitar.
Procesi i testimit u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente të raportuara, duke shënuar përmbylljen e provimeve të maturës në shkallë vendi.
Provimi i lëndëve me zgjedhje konsiderohet vendimtar për orientimin e mëtejshëm të maturantëve drejt studimeve universitare, ku një pjesë e tyre kanë zgjedhur ekonomi për të ndjekur më pas degët e financës, ndërsa të tjerë biologjinë me synim studimet në fushën e mjekësisë.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka uruar maturantët përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, duke shprehur suksese për mbi 26,600 nxënës që iu nënshtruan provimit.
Ndërkohë, më herët ishte bërë me dije se 29 maturantë janë përjashtuar gjatë tre provimeve për shkelje të rregullores, ndërsa procesi në përgjithësi ka vijuar me qetësi në të gjithë vendin.
