Procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka përfunduar, ndërsa aktualisht po kryhen verifikimet e fundit të rezultateve.
Burime nga procesi bëjnë me dije se rezultatet zyrtare pritet të shpallen gjatë orëve të pasdites, duke përcaktuar përbërjen e forumit më të lartë drejtues të partisë mes dy kuvendeve.
Votimi u zhvillua një ditë më parë, ku delegatët demokratë zgjodhën 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, në kuadër të procesit që kryetari i PD-së, Sali Berisha, e ka cilësuar si një fazë ripërtëritjeje të partisë.
Këshilli Kombëtar konsiderohet një strukturë kyçe në organizimin e Partisë Demokratike, pasi nga përbërja e tij do të dalin edhe drejtuesit e ardhshëm të partisë dhe do të përcaktohen orientimet politike për periudhën në vijim.
Ndërkohë, lista e kandidatëve tregoi ndryshime të ndjeshme krahasuar me përbërjen e mëparshme të forumit. Dhjetëra figura të njohura të demokratëve nuk ishin pjesë e garës për një mandat të ri, mes tyre Aldo Bumçi, Andi Mustafaj, Arben Imami, Bujar Kapexhiu, Julian Deda, Rudina Hajdari dhe Robert Budina.
Rezultatet përfundimtare pritet të japin një panoramë më të qartë të balancave dhe emrave që do të drejtojnë forumet e Partisë Demokratike në vitet e ardhshme.
