Një punonjës i OSHEE-së ka rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi dyshohet për veprën penale të vjedhjes. I arrestuari është E.K., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për Mirditën.
Sipas burimeve policore, ai është kapur nga efektivët teksa po tentonte të nxirrte nga bregu i lumit një automjet të raportuar të vjedhur në Korçë. Gjithashtu, mësohet se targat e vendosura në mjet rezultonin të vjedhura në Elbasan.
Gjatë deklarimeve paraprake, E.K. ka pretenduar se automjeti i kishte ngecur në lumë, por nuk ka dhënë shpjegime sesi makina e vjedhur dhe targat e grabitura kishin përfunduar në posedimin e tij.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pretendimet e tij janë hedhur poshtë, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse automjeti është përdorur në aktivitete të tjera kriminale.
