Autoritetet në Belgjikë kanë vijuar të zbardhin komunikime të enkriptuara nga aplikacioni “SkyEcc”, i përdorur kryesisht nga bandat, përfshirë at shqiptare.
Siç raportohet nga mediat vendase, një pjesë e hetimeve është përqëndruar tek shqiptari Alket.V, i cili konsiderohet si “koka” e një grupi kriminal. Prokuroria kërkoi për Alketin dënim me 14 vite burg, pasi ai konsiderohet truri i rrjeti kriminal.
Shqiptari raportohet se ishte dënuar më parë me dhjetë vite burg dhe kërkohej nga autoritetet tona, por kishte ikur në Spanjë e më pas në Belgjikë. Aty thuhet se ai drejtonte disa banesa të kthyera në “ferma kanabisi”.
Gjatë dëshmisë, shqiptari e ka mohuar rolin që ka pasur në grup, duke thënë që po e ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se sa duhet. Por, përgjimet tregojnë të kundërtën.
Pavarësisht mohimeve të tij, prokuroria e përshkruan si drejtuesin e padiskutueshëm të organizatës. Ai akuzohet se rekrutonte njerëz, paguante, organizonte, shiste dhe importonte. Fitimet ishin të mëdha, pasi thuhet se në dhjetor të 2020, për 13 kilogramë kanabis shqiptari mori 59 800 euro. Ndërsa klientët kryesorë blinin çdo javë deri në 50 kilogramë. Një i pandehur tjetër madje krenohej se kishte fituar 50 mijë euro për vetëm një orë.
Problemi kryesor ishte pastrimi i shumave të mëdha të parave. Sipas hetimeve, Alketi përdorte sistemin tradicional “Hawala”, të njohur në vendet aziatike dhe arabe për transferime të shpejta dhe diskrete parash pa gjurmë bankare. Paratë kalonin fillimisht tek motra dhe kunati i tij në Shqipëri, më pas një pjesë kthehej në Belgjikë nën formën e “huave familjare”.
Këto shuma shpalleshin zyrtarisht si kontribute personale ose kursime për blerjen e pasurive të paluajtshme, përmes një kompanie fasadë që në letra figuronte si firmë ndërtimi, por që nuk kishte asnjë mjet apo aktivitet real. Në një përgjim të policisë në nëntor 2023, Alket.V dhe bashkëshortja e tij flisnin hapur për transferimin e 70 mijë eurove me këtë skemë. Zyrtarisht, e quanin hua, jozyrtarisht, prokuroria e cilësonte para cash nga trafiku i drogës.