Shokët dhe miqtë e 15-vjeçares Xhesika Kola, e cila humbi jetën së bashku me të atin, Arti, nënën, Jonida, dhe vëllain, Hajdar, si pasojë e një rrjedhjeje të monoksidit të karbonit në Porcari të Italisë, e kujtojnë atë me dhimbje. Ata e përshkruajnë si një vajzë që do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre: “Xhesika do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona,” thonë ata, ndërsa shtojnë: “Na mungon shumë.” “Shkëlqeve dhe do të shkëlqesh gjithmonë.”
Mbrëmjen e së enjtes, shumë të rinj dhe prindërit e tyre u mblodhën për të nderuar humbjen e madhe, duke kryer homazhe. Tragjedia ka prekur edhe shkollën e mesme të Porcarit, ku frekuentohej kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllai i Artit. Durimi ishte ai që hyri në shtëpi së bashku me karabinierët për të shpëtuar familjen, por nuk mundi ta ndihmonte.
Durimi, i cili kishte thithur gjithashtu monoksid karboni, u shtrua në spital pas ngjarjes, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ai është thellësisht i tronditur dhe ka deklaruar: “Nuk arrita t’i shpëtoja.”
Për hetimin e ngjarjes, Prokuroria e Luccas ka urdhëruar autopsinë e trupave. Shtëpia ku ndodhi tragjedia është sekuestruar dhe hetimet vazhdojnë. Po shqyrtohet mundësia e një ekspertize mbi kaldajën e ngrohjes, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e akuzës për vrasje nga pakujdesia.
