Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar ashpër pas përjashtimit të dy anëtarëve nga grupi i këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Durrës, pas pretendimeve nga ana e PD-së se ata kanë mbështetur Salianjin në takimet e tij me strukturat e partisë.

Salianji e cilëson këtë vendim si një tregues të qartë të krizës së brendshme në parti, duke e quajtur “të paimagjinueshme që në vitin 2026 ekziston lidership me këtë mëndësi”.

Sipas tij, përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës së Durrësit, të cilët i cilëson si kontributorë dhe sakrifikues ndër vite, dëshmon “depresionin dhe frikën” brenda drejtimit aktual. Ndër të tjera ai i ka cilësuar kolegët e tij “humbësa” ndërsa shton se ata po përjashtojnë fituesit e zgjedhur me votë.

“Humbësit përjashtojnë fituesit. Humbësit duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës. Në vend të kthehen tek themeli, tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët.

E paimagjinueshme që në vitin 2026 ekziston lidership me këtë mëndesi, përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës Durrës, dy kontributorë dhe sakrifikues prej vitesh në parti, tregon depresionin dhe frikën! Frika nga gara nuk është lidership! Dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën. Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë. Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!”, shprehet Salianji.

Kujtojmë se në vendimin e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, thuhet se përjashtohen nga grupi i Këshilltarëve, Dritan Burgija i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, si edhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës. Të dy ata do të jenë anëtarë të Këshillit në Durrës, por jo më nën siglën e PD.