Policia e Shtetit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, pas parashikimeve për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike gjatë ditëve në vijim.

Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga mesdita e datës 24 korrik 2026 deri në paraditen e 25 korrikut 2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, këshillohen të mos dalin në det për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

Policia u bën apel drejtuesve të këtyre mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të marrin në konsideratë përkeqësimin e motit dhe të shmangin çdo lundrim që mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të personave që ndodhen në bord.

Njëkohësisht, për shkak të motit të keq që pritet edhe në rrugë, Policia e Shtetit u kërkon drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufijtë e shpejtësisë dhe distancën e sigurisë, si dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.

Apeli shtrihet edhe për këmbësorët, të cilët këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar, veçanërisht në kushtet e reshjeve dhe lagështirës në rrugë.

Policia e Shtetit thekson se zbatimi i këtyre masave është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së jetës, duke u bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe të mjeteve lundruese të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes maksimal.