Përkeqësohet situata nga zjarri në fshatin Sasaj, në qarkun e Vlorës. Flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke rrezikuar drejtpërdrejt rreth 50 banesa.

Sipas raportimeve, autoritetet kanë ndërhyrë me urgjencë dhe policia ka evakuuar banorët, të cilët janë strehuar në qendër të fshatit për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.

Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, ndërsa puna për neutralizimin e flakëve vijon në kushte të vështira për shkak të terrenit malor dhe erës që favorizon përhapjen e zjarrit. Deri tani nuk raportohet për të lënduar, por situata mbetet kritike dhe në ndjekje të vazhdueshme nga autoritetet.