perleshja-me-policineDhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privatë ka reaguar pas përplasjes me banorët e godinës që ndodhet pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, në rrugën “Margarita Tutulani”. Përmbaruesit u kanë bërë thirrje qytetarëve, institucioneve shtetërore e private dhe forcave politike që të mos pengojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore.


“Dy ditë më parë u bëmë dëshmitarë të një ngjarjeje, ku banorët shkuan deri në konfrontim fizik me përmbaruesit gjyqësorë, të cilët kanë detyrën e shenjtë të zbatimeve të vendimeve gjyqësore dhe zbatimin e shtetit të së drejtës. Gjatë zbatimit të vendimit u pa një presion i jashtëzakonshëm, si ndaj përfaqësuesve të përmbarimit, ashtu edhe ndaj përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, detyra e të cilëve është të sigurojnë rendin e qetësinë gjatë kryerjes së procedurave përmbarimore.”- thuhet në deklaratën për mediat.


Dhoma Kombëtare e përmbaruesve gjyqësorë privat u kërkon forcave politike që të mos ndërhyjnë në zbatimin e vendimeve të gjyqësorit për arsye elektorale. “Ky pushtet delegohet nga vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e cila e ngarkon përmbaruesin gjyqësor për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Në situata të tilla, përfshirja e forcave politike të çfarëdo kahu do të çonte në pengimin e dhënies së drejtësisë dhe krijohen tensione që çojnë më pas në përplasje dhe situata tej normales, në një kohë që lufta e vërtetë është bërë më parë në Gjykate dhe ajo ka dhënë një vendim, që më pas duhet të zbatohet”- thuhet në deklaratë.


25 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)