Pas reshjeve të shumta që përfshinë qytetin në orët e para të mëngjesit, rrugët e Durrësit janë mbushur sërish me ujë, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Uji ka mbuluar pjesërisht korsitë e qarkullimit, duke e detyruar trafikun të lëvizë ngadalë dhe me shpejtësi të reduktuar për të shmangur aksidentet ose dëmtimin e mjeteve.

Këmbësorët gjithashtu kanë hasur probleme në lëvizje, sidomos në kryqëzimet e rrugëve, ku disa prej tyre janë detyruar të veshin çizmet për të kaluar. Pusetat, disa prej të cilave janë bllokuar, nuk kanë mundur të përballojnë sasinë e madhe të reshjeve në një periudhë të shkurtër kohe.

Këto reshje intensive kanë rikthyer sërish problematikat e infrastrukturës së kullimit në qytetin bregdetar, një situatë që shpesh krijon vështirësi sa herë që intensiteti i shiut rritet. Megjithatë, pritet që me pushimin e shiut, situata të normalizohet dhe rrugët të bëhen përsëri të kalueshme.