Basha: S’është dëmtuar asnjë pronë private
Shpërthejnë pusetat në rrugën “Don Bosko”, te Brryli dhe “Komuna e Parisit”
Shpresa Mezini
Reshjet e dendura të shiut që shoqëruan ditën e djeshme deri në orët e vona të pasdites arritën të përmbytnin kryeqytetin. Disa zona apo lagje të Tiranës përjetuan orë tmerri, për shkak të ujërave që qëndronin mbi nivelin e asfaltit, duke rënduar trafikun, por sidomos duke vështirësuar kalimin e këmbësorëve, të cilët duhet të depërtonin përmes ujit me frikën se mund të rrëzoheshin në ndonjë pusetë të hapur. Ndonëse, meteorologët kishin pothuajse një javë që paralajmëronin reshje të dendura shiu në fundjavë, pusetat dhe kanalizimet nuk ishin zhbllokuar për të bërë thithjen e ujit, për rrjedhojë rrugët, njerëzit dhe automjetet notonin në ujë. E megjithatë, paralajmërimit të sinoptikanëve, iu bashkua edhe ai i këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës, të cilët pohojnë se i kanë kërkuar disa herë drejtorisë përkatëse në bashki të marrë masa, pasi përveç ujit në oborr vërshojnë edhe ujërat e zeza, por as kjo nuk bëri punë. Përmbytjes nuk iu dorëzuan vetëm rrugicat e kryeqytetit, por edhe rrugët kryesore të tij. Situatë më problematike është paraqitur në zonën e Brrylit pranë Maternitetit të ri të Tiranës, ku sa herë ka reshje të dendura shiu, Lana del nga shtrati, duke përmbytur shtëpitë e pozicionuara përreth saj. I tillë është rasti i përmbytjes së kateve të para të shtatë shtëpive në zonën e Brrylit, ku banorët pohojnë se, edhe pse kanë kërkuar ndihmë, nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj çështje. E megjithatë, situatë e rënduar shfaqet edhe në zonën e Komunës së Parisit, te rruga “Don Bosko”, duke mos përjashtuar edhe lagje të tjera, si ish-parku i autobusëve, ku ndonëse gjendja nuk ka qenë alarmante, niveli i ujit ka vështirësuar kalimin e këmbësorëve.
Nisur nga problematika e reshjeve të shiut në rrugët e kryeqytetit, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha ka vëzhguar terrenin nga afër, ndërsa ka mbledhur menjëherë shtabin e emergjencës, me qëllim ngritjen e grupeve të punës për të mbajtur nën kontroll situatën. Ndërsa prej mesditës nisi puna për marrjen e masave që do të përmirësonin gjendjen në disa rrugë të Tiranës, Basha sqaroi: “Situata është nën kontroll. Reshjet e sotme kanë përmbytur disa pika të nxehta të Tiranës, siç është rruga ‘Don Bosko’, kanë shkaktuar dëm në argjinaturën e Lanës, tek ura e Shkozës, si dhe kanë shkaktuar përmbytje të përkohshme në disa pika të tjera të qytetit, por për momentin nuk kemi lajmërime për dëme të mëdha apo për futje uji në prona private. Aktualisht, grupi i punës po punon për eliminimin e pasojave të reshjeve aktuale, në dy pika të qytetit, ndërkohë që ka marrë udhëzime për të monitoruar situatën nga afër, pasi edhe në tri ditët e ardhshme, reshjet do të vazhdojnë të jenë të larta, deri në 60 mm shi, një sasi e madhe për qytetin e Tiranës”. Ai theksoi se situata e përmbytjeve në kryeqytet është minimale dhe nën kontroll dhe se do të vazhdojë monitorimi në çdo cep të qytetit, duke marrë sipas rastit masat e nevojshme.
Duke iu referuar deklaratave të kreut të bashkisë, rezulton se në terren kanë zbritur menjëherë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 1 dhe 2 të Ujësjellës-Kanalizimeve, operatorët e pastrimit, punonjësit e Policisë Bashkiake dhe inspektorët e Inspektoratit të Ndërtimit, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet dhe minimizimin e pasojave nga vërshimi i ujit.
Shpërthejnë kanalizimet në rrugën “Don Bosko”, te Komuna e Parisit. Përmbyten shtatë shtëpi te zona e Brrylit
Masat
Në terren zbritën punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, operatorët e pastrimit dhe të Policisë Bashkiake
Durrës
Ndërtimet në kodra, rrezik rrëshqitja e dheut
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve në Durrës. Në portin detar është pezulluar përkohësisht përpunimi i anijeve tregtare, ndërsa dy tragetet e linjave detare Bari-Durrës kanë mbërritur përkatësisht me vonesa 30 dhe 45 minuta. Në qytet situata ka qenë kritike veçanërisht në kryqëzimet e rrugëve “Skënderbej”, “Aleksandër Goga”, “Taulantia”, kryqëzimi i stadiumit, si dhe në Plazh, Shkozet e Porto Romano. Në plazh ujërat e larta kanë mundur të depërtojnë dhe brenda njësive tregtare duke shkaktuar edhe dëme materiale, ndërsa në ish-kënetë, uji raportohet se është futur edhe brenda disa shtëpive, ndërsa në zonën kodrinore të qytetit bregdetar është rikthyer frika nga rrëshqitjet e dheut, problem i krijuar nga shpyllëzimi i kurorës së gjelbër të qytetit dhe ndërtimet masive në të. V.Q
Shkodër
Shiu ndërpret punimet në rrugën pedonale
Ashtu si në të gjithë vendin, edhe qyteti i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat për fat të mirë nuk kanë krijuar ndonjë situatë përmbytje. Problemi i krijuar ka qenë ndërprerja e punës, për shkak të reshjeve në disa investime imediate, që po bëhen dhe që ishin parashikuar të mbaronin para festës së 100-vjetorit të Pavarësisë. Për momentin janë ndërprerë punimet në rrugën pedonale kryesore të qytetit, ku prej disa javësh ka nisur puna për rikthimin e saj në rrugë pedonale. A.H
