Reshjet dhe stuhitë 


Bulqizë/ Ostren, ura e shtëpi të shembura. Ndërpritet energjia elektrike


Stuhitë, reshjet e shiut, rrëshqitja e dherave, për shkak të përmbytjeve, kanë shkaktuar probleme me akset rrugore, shtëpitë, urat, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Në porte tragetet janë nisur me vonesë, ndërkohë që shtabet e kontrollit të situatës kanë nisur nga puna për përmirësimin e situatës.


Moti me reshje të dendura shiu, stuhi e dëborë, ka shkaktuar dëme të mëdha në Rrethin e Bulqizës, jo vetëm në bujqësi, por edhe në infrastrukturën rrugore e deri në shembje shtëpish. Kështu në fshatrat e Komunës Ostren, të këtij rrethi, si pasojë e këtyre reshjeve, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në mjaft fshatra, përfshirë edhe Ostrenin, qendër e kësaj komune. Po kështu në këtë zonë ka pasur edhe shembje urash që lidhin fshatrat me qendrën e komunës, siç ka ndodhur në fshatin Oreshnjë, Okshtun, Plepe, Lejçan, duke i lënë banorët e tyre të izoluar.


Burime nga Komuna Ostren bëjnë me dije për “Shqip”, se si pasojë e motit me reshje të dendura shiu dhe dëbore, është shembur shtëpia e Kongres Mias, duke nxjerrë kështu në shi 6 pjesëtarët e kësaj familjeje. Mësohet se ai është drejtuar për ndihmë pranë komunës, pasi e ka krejt të pamundur ringritjen e shtëpisë, pasi është i papunë dhe jeton vetëm në sajë të një ndihme ekonomike prej 20 mijë lekësh të vjetra që merr në komunë. Ndërkohë, nga autoritetet e komunës konfirmohet se, nga ana e tyre, do të nisin procedurat ligjore për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje. Lh.


Elbasan


Stuhia me shi dhe erë ka përfshirë qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar përmbytje në segmente të unazës rrugore dhe shkarje dherash. Era ka rrëzuar disa pemë në këtë unazë, kurse në aksin Përrenjas-Librazhd, problem janë bërë dherat që kanë mbuluar segmente të caktuara të rrugës nacionale.


Situata kritike sinjalizohet edhe në segmentin Librazhd-Murrash, ku janë rrëzuar masivë të shumtë me gurë.


“Që në orët e para të mëngjesit, punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë pastruar dherat dhe gurët e rënë nga kodrinat në akset Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Papër, si dhe Elbasan–Librazhd, te kthesat e Murrashit, dhe aktualisht të gjitha akset nacionale janë të kalueshme”, tha shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi.


Sipas tij, drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të vëmendshëm në rrugë, pasi si pasojë e shirave mund të ketë rrezik për rrëshqitje të tjera dherash e rrugësh.


Pas shirave të rënë gjatë 24 orëve të fundit, si dhe bllokimit të përkohshëm të disa akseve rrugore, si pasojë e rënieve të dherave nga kodrinat në Qarkun e Elbasanit, prefekti i qarkut, Shefqet Deliallisi, mblodhi sot Shtabin e Emergjencave Civile dhe kërkoi marrjen e masave paraprake në prag të stinës së dimrit.


Lezhë


Dalja jashtë funksionit të hidrovorit të Talës, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme. Prej ditësh pompat e hidrovorit janë jashtë funksionit dhe niveli i ujit është bërë alarmant në zonat e Spiten, Rrile, Myltë dhe Barbullojë të Lezhës. Një prej lagjeve më të goditura është ajo e Barbullojës, e cila e vuan shpesh situatën e ujit në sipërfaqe, por në këtë hark kaq të shkurtër me reshje uji, ai ka depërtuar edhe në banesa.


Durrës


Stuhia detare, që përfshiu rajonin detar të Durrësit gjatë natës së kaluar, nuk ka shkaktuar dëme në basenin portual, ndërsa reshjet e rrëmbyera që ranë për afro 40 minuta gjatë paradites së djeshme kanë bllokuar disa nga rrugët dhe kryqëzimet kryesore të qytetit. Burime nga institucioni i prefektit të qarkut, bënë të ditur se ujërat e grumbulluara kanë shkaktuar probleme në disa banesa private në lagjen e plazhit dhe atë të Shkozetit, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës.


Deti i dallgëzuar ka shkaktuar vonesa të theksuara në lundrimin e trageteve që lidhin dy brigjet e Adriatikut, ndërsa anijet e tonazhit më të ulët kanë pezulluar lundrimet.


 


Vlorë


Stuhia prish zbukurimet e 100-vjetorit të Pavarësisë


Përveç problemeve në port, ku tragetet janë nisur me vonesë, në Vlorë, stuhitë me erë dhe shi gjatë natës kanë dëmtuar zbukurimet për 28 Nëntor, ditë kur shënohet 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar.


 


Kukës


Vështirësi për lëvizjen e mjeteve


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në akset rrugore të zonës verilindore, ku janë vërejtur rrëshqitje të dherave e gurëve në trasenë e rrugës,


rënie materialesh inerte janë vërejtur edhe në segmentin e autostradës Morin-Kukës-tunel, por pa shkaktuar probleme në qarkullim. Probleme më të ndjeshme janë vërejtur në akset rrugore Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë dhe Kukës-Krumë, ku rrëshqitjet e dherave e gurëve mbi trasenë e rrugës kanë qenë më të mëdha, ndërsa është punuar pa ndërprerje edhe gjatë orëve të natës për pastrimin e këtyre akseve nga materialet inerte, të rëna mbi trasenë e rrugës, duke mos lejuar bllokimin e tyre për asnjë moment.


 


Fierzë


Rriten prurjet në hidrocentral


Reshjet e shiut, që vazhdojnë pa ndërprerje nga mbrëmja e kaluar, kanë rritur ndjeshëm prurjet e ujit në liqenin e Fierzës, duke krijuar një situatë optimiste për specialistët e hidrocentraleve në këtë periudhë të stinës së reshjeve. Sipas burimeve nga salla e komandës në hidrocentralin e Fierzës, prurjet e ujit të të dy Drinëve, si dhe ato të përrenjve të tjerë që derdhen në liqenin e Fierzës kanë arritur deri në 550 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në 262.5 metra mbi nivelin e detit.