Daniel Alinani, një banor i zonës së Delvinës është një nga më të prekurit nga përmbytjet, që i kanë shkaktuar shumë dëme.

Ai zotëron një biznes, servis makinash, i cili është goditur nga vërshimi i ujit. Në një lidhje live me emisionin “Shqipëria Live”, ai tregoi pamjet nga ku shihej se balta, gurët dhe uji kanë mbuluar gjithçka, madje dhe makinat e klientëve. Ai u zotua se do i dëmshpërblejë të gjithë klientët e tij me fondet e veta.

“Gjendja është shumë e keqe. Ka pushuar pak shiu por sërish ka rrezik dhe ujë. Gjendja është nën kontroll pasi kemi mjetet nga bashkia, por sërish ka rrezik sepse priten reshje të dendura. Unë kam një biznes servis makinash. E gjithë zona këtu është e mbuluar nga balta dhe gurët pas daljes së përroit. Unë kam bërë një telefonatë me kryebashkiakun. Fillimisht më ndihmoi një firmë private që po ndërtonte rrugën Sarandë-Delvinë dhe më ndihmuan. Pastaj erdhi dhe skrapi nga bashkia. Shumë makina të klientëve janë dëmtuar sepse janë mbuluar nga uji dhe gurët. Unë të gjitha dëmet për makinat e klientëve do i paguaj vetë.”- tha ai.