Mbrostari është një nga fshatrat e goditur rëndë nga përmbytjet, si pasojë e daljes së lumit të Semanit nga shtrati.
Dy banorë të dëmtuar nga përmbytjet kanë thënë se dëmet e pësuara janë të rënda për ta. Njëri nga banorët, i cili mban një qengj mbi supe, thotë se 40 prej tyre ia ka marrë lumi. Veç kafshës që ka në shpinë, kanë mbetur edhe dy të tjerë. Ai shprehet se kafshët janë pa ushqim dhe e vetmja ndihmë nga shteti do të ishte baza ushqimore.
“Jemi përmbytur, kërkojmë ndihmë nga shteti. S’kemi as misër, asgjë, na u mbytën të tëra. Qengjat më ngordhën, 40 qengja m’i mori lumi, të tjerët ngordhën. Ja, filmoji qengjat ku i ke. Kam marrë 40 qengja. As ndihmë, asgjë. Tani nuk e dimë çfarë do të bëjmë, këto duan të hanë, tagji s’kanë. Të paktën të na bjerë bazë ushqimore se s’kemi ku të shkojmë. Duam bazë ushqimore”, thotë banori.
Një tjetër banor thotë se investimi i tij prej 12 milionë lekësh tani nuk është më, kurse 20 lopë nuk mundet t’i nxjerrë.
“Nga dëmi që patëm në nëntor, më është bërë dëm shumë. Kam investuar këtu rreth 12 milionë lekë që kam bërë rrugën këtu dhe pula, bar, koncentrat, asnjëri s’na ka dhënë ndihmë asgjë. Janë 20 lopë brenda, s’kam nga t’i nxjerr”, thotë ai.
Banori shton se ka humbur edhe mbi 200 pula dhe njësoj si bashkëfshatari, kërkon bazë ushqimore.
“I kërkojmë shtetit ndihmë, po na e dha mirë. Koncentrat e bar se ato janë bërë dëm, pulat ikën, rreth 200 e ca pula ngordhën”, përfundon ai.





