Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas përmbytjeve që kanë përfshirë Shqipërinë ditët e fundit, duke theksuar se situata e vështirë vazhdon edhe pse shiut ka pushuar. Ai e ka cilësuar këtë situatë si një problem të thellë dhe ka kërkuar që të ndërmerren masa për të parandaluar dëmet e mëtejshme që shkaktohen nga përmbytjet.

Në një deklaratë për media, Braçe ka theksuar se pagesa për dëmet nga përmbytjet është një formë e mbështetjes për ata që kanë humbur ekonominë e tyre, përfshirë bagëtitë dhe të mbjellat. Megjithatë, ai ka nënvizuar se kompensimi financiar nuk është i mjaftueshëm nëse nuk adresohen shkaqet që çojnë në përmbytje dhe dëme të tjera të ngjashme.

“Duhet të fokusohemi tek eliminimi i faktorëve që shkaktojnë dëme. Infrastruktura është kyçe në këtë proces,” tha Braçe. Ai theksoi se një nga problemet kryesore është mosmirëmbajtja e argjinaturave, të cilat, sipas tij, janë lënë pas dore dhe askush nuk kujdeset për to. “Kjo ka çuar në çarjen e tyre, duke shkaktuar përmbytje edhe tani, kur shiut ka pushuar,” shtoi deputeti.

“Ne nuk mund të kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëmet, duhet të merremi me eliminimin e faktorëve që çojnë në këto dëme, infrastruktura, ajo që na takon ne. Këto që po lexoj me çarje argjinaturash tani pas reshjeve nga lumenj që fryhen, natyrisht ka pasoja për sjelljen e shtetit. Argjinaturat sot janë mall pa zot, nuk kujdeset kush sot, nuk ka roje.

E kam vuajtur vetë në kurriz, në Divjakën që sot nuk përmbytet. Duhet të ndryshojmë në mënyrën si i menaxhojmë veprat që janë jetike për banorët, duhet të paguajmë për to që mos kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëme”, deklaron Braçe.