Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për pasojat e përmbytjeve, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për indiferencë dhe cinizëm në përballimin e situatës katastrofike që ka prekur mijëra familje dhe biznese.
Ai kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të mundësuar kompensimin e dëmeve dhe për t’i dhënë përgjigje qytetarëve të përmbytur.
Sipas Berishës, qëndrimi i Ramës ndaj fatkeqësive natyrore është një lloj “krimi” që turpëron çdo njeri me ndjeshmëri.
Berisha: Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet.
Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme.
Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë. Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore. Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete.
Në 4 muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë. Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.
Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë. Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë. Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet.
