Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas përmbytjeve me të cilat u përball ditën e sotme qyteti i Lezhës, pas reshjeve të shiut.
Përmes një postimi ne rrjetet sociale, Ndreu ka shkruar se situata e përmbytjeve në qytet sëshpejti do të marrë një zgjidhje përfundimtare, në mënyrë që të mos përsëritet më.
Ndreu tha se aktualisht Bashkia po punon për sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza në qytet, investim i cili sipas tij do të përfundojë brenda disa muajve.
Reagimi i Ndreut:
Lidhur me përmbytjen disa orëshe në Lezhë sot!
Gjatë ditës së sotme, qyteti u përball me problematika të përkohshme nga uji si pasojë e reshjeve. Reagimet kanë qenë të ndryshme. Disa qytetarë janë shqetësuar me të drejtë, disa kanë tentuar të përfitojnë nga situata, ndërsa të tjerë kanë ruajtur qetësinë.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo situatë është drejt zgjidhjes përfundimtare. Aktualisht janë në proces punimet për sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza në qytet. Deri në përfundimin e këtij investimi, në muajt në vijim, sa herë që do të ketë reshje intensive, rreziku i situatave të tilla mbetet i lartë.
Megjithatë, kjo është një fazë kalimtare dhe jo një problem që do të mbetet i pazgjidhur. Një nga arritjet për të cilat ndjehemi krenarë, është pikërisht ky projekt i rëndësishëm, i realizuar nga Bashkia, me mbështetjen e qeverisë Rama.
Nuk ka vend për panik, as për ekzaltim dhe as për abuzim me situatën. Kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim deri në përfundimin e plotë të investimit.
