Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u arrestua mbrëmjen e së dielës me urdhër të SPAK në Shijak, në një rast që ngre pyetje mbi lidhjet e tij me krimin e organizuar. Bisedat e zbuluara në aplikacionin Sky Ecc zbulojnë emrin e Edmond Koçit, i njohur si “Mond Çekiçi”, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 20 mars 2021.

“Mond Çekiçi” ishte konsideruar nga policia e Durrësit si një person me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një klani kriminal dhe i dënuar më parë për mbajtje armësh dhe kundërshtim të forcave të policisë. Ai kishte marrë dënimin me 2 vite burgim për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve në vitin 2009.

Koçi u arrestua për herë të fundit më 24 shtator 2020 për armëmbajtje pa leje, por u lirua më 8 tetor të po atij viti, duke pretenduar se ishte i prekur nga Covid-19 dhe nevojitej për mjekim.

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Durrësit vendosi arrest shtëpie për Koçin, por ai nuk e respektoi këtë masë, duke qarkulluar lirshëm në qytet deri në momentin e atentatit.

Arrestimi i Çyrbjas vjen në një kohë delikate, duke theksuar shqetësimet për lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar në Shqipëri.