Vendimet
Gjykata: Edgar V., i dërgonte sms dhe e-mail-e kërcënuese. Mario D., u hakmorr pas ndarjes
Rasti 1 – Kjo shtetase dëshmoi para gjykatës se ndihet e dhunuar, frikësuar, përndjekur dhe e kërcënuar nga Edgari, i cili në çdo moment e merr atë në telefon
Rasti 2 – Mësohet se Mario D, e ka përjetuar shumë keq ndarjen nga e dashura, dhe më pas ka vijuar ta kërcënojë, madje edhe të hakmerret. Ai e kërcënonte në telefon për jetën, duke i thënë edhe fyerje nga më të ndryshmet
Dy persona janë dënuar nga Gjykata e Tiranës, me akuzën e përndjekjes të së dashurave, me të cilat kishin bashkëjetuar disa vjet. Pas ndarjes, Edgar V, vazhdonte të komunikonte, por kësaj here me fyerje dhe kërcënime, të cilat i dërgoheshin me sms në celular dhe e-mail. Ndërkohë, Mario D, e kishte përjetuar shumë keq ndarjen nga e dashura, dhe e përndiqte ngado.
Vendimi për Edgarin
Sipas vendimit të gjykatës, më 17 prill 2012 L. T. ka bërë kallëzim me shkrim në lidhje me thirrje telefonike dhe sms të dërguara në telefonin e saj nga Edgari, me të cilin ajo ka bashkëjetuar prej vitit 2009 deri në prill të vitit 2012. Gjykata ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje, i cili parashikonte në mënyrë të shprehur që i padituri të mos kërcënojë, cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë me paditësen. “Edgari, në kundërshtim të hapur me vendimin e gjykatës, megjithëse ka marrë pjesë personalisht në gjykimin e kësaj çështjeje, ka telefonuar shumë herë L. dhe duke qenë se kjo e fundit nuk i është përgjigjur, ai i ka dërguar asaj sms të ndryshme kërcënuese për jetën dhe shëndetin e saj, si dhe të të afërmve të saj. Është bërë këqyrja e pjesshme e telefonit të L.. Është pyetur Edgar V., i cili ka deklaruar se nuk e ka kërcënuar, por i ka kërkuar takim për disa mosmarrëveshje financiare në lidhje me një aktivitet privat të tyre. Ai e ka pranuar që i ka dërguar sms”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas saj, edhe L. dëshmoi para gjykatës se ajo është dhunuar nga ana psikike, si dhe fizikisht shpeshherë nga Edgari dhe për shkak të dhunës fizike permanente dhe verbale të ushtruar ndaj saj ajo ka qëndruar me të, pasi nuk ka dashur të përfshijë familjarët e saj në sherr.
“Në datën 4 prill 2012 L. T. Më në fund ka vendosur të ndahej nga Edgari për shkak të dhunës. Ajo ka kallëzuar se që nga data 4 prill 2012 përndiqet nga Edgari, i cili e kërcënon atë dhe familjen e saj. Kjo shtetase dëshmoi para gjykatës se ndihet e dhunuar, frikësuar, përndjekur dhe e kërcënuar nga Edgari, i cili në çdo moment e merr atë në telefon, e ndjek fizikisht, i dërgon mesazhe kërcënuese asaj dhe familjes. Nga dëshmia e shtetasit S. T., babai i L., i cili ka bërë edhe ky kallëzim, rezulton se në datën 25.05.2012, rreth orës 10:00, ai ka qenë në Fier dhe në telefonin e tij i ka ardhur një thirrje nga një nunër që përdorej nga Edgari, ku ky i fundit ka filluar ta ofendojë dhe ta shajë Shefqetin. Shefqeti e ka fikur telefonin dhe kur e ka hapur më vonë, i kanë ardhur disa sms ofenduese dhe kërcënuese. Ai ka bërë kallëzim”, vijon vendimi.
Në gjykatë dëshmoi L., e cila sqaroi se Edgari, që prej periudhës që është ndarë me të, e merr çdo ditë në telefon, e shqetëson dhe e kërcënon me sms të ndryshme, në drejtim të saj dhe të familjarëve të saj. Gjithashtu, Edgari, duke përdorur identitete të ndryshme, i dërgon e-mail-e L. në adresën e saj personale dhe në adresën e punës.
“Si pasojë e këtyre veprimeve të përsëritura dhe kërcënuese të shtetasit Edgar V., e dëmtuara dhe babai i saj ndihen realisht të kërcënuar, fyer, përndjekur dhe në një gjendje terrori nga këto veprime të përsëritura, të cilat nuk kanë fund, por dhe shtohen dita-ditës. Ndërkohë, nga ana e avokatit të të pandehurit u pretendua se sms dhe thirrjet telefonike të bëra nga i pandehuri kanë pasur qëllimin që i pandehuri të sqarohej.
Megjithatë, gjykata vendosi ta shpallë fajtor dhe ta dënojë fillimisht me 9 muaj burg, por për shkak të përsëritjes, e dënoi me 12 muaj. Më pas, ia pezulloi, duke e urdhëruar që L. t’i qëndrojë larg dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës për një periudhë prej 18 muajsh.
Vendimi për Marion
Gjykata e Tiranës ka dënuar një tjetër person me akuzën e përndjekjes, një vepër penale e re në Kodin Penal, e cila bën fjalë për kërcënimet me anën e telefonave dhe kompjuterëve. Mësohet se Mario D, e ka përjetuar shumë keq ndarjen nga e dashura, dhe më pas ka vijuar ta kërcënojë, madje edhe të hakmerret. Ai e kërcënonte në telefon për jetën, duke i thënë edhe fyerje nga më të ndryshmet. Prokuroria, në pretencën e saj, kërkoi deklarimin fajtor të Marois Doçit të akuzuar për veprën penale të “Përndjekjes” dhe dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim. Ndërkohë, prova materiale e sekuestruar, aparati telefonik celular, t’i kthehet të pandehurit. Avokati tha se kërkonte pezullimin e dënimit me burgim, duke marrë parasysh faktin që i pandehuri nuk ka qenë i dënuar më parë, marrëdhëniet me kallëzuesen janë normalizuar dhe gjendjen jo të mirë ekonomike. Ndërkohë, gjykata vendosi ta deklarojë fajtor dha ta dënojë me tetë muaj burg.