Një grua është arrestuar në Torino nën akuzën e tentativës së vrasjes, pasi dyshohet se ka përplasur me automjet një fëmijë vetëm 5 vjeç. Hetuesit italianë po verifikojnë pistën se goditja mund të ketë qenë e qëllimshme dhe e lidhur me mosmarrëveshje të mëparshme mes drejtueses së mjetit dhe babait të të miturit.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pranë kryqëzimit mes Via Pinelli dhe Via dell’Industria në Torino.

Në momentin e përplasjes, 5-vjeçari po lëvizte së bashku me prindërit e tij. Papritur, ai u godit nga automjeti që, sipas të dhënave paraprake të hetimit, drejtohej nga ish-partnerja e babait të tij.

Pas alarmit, në zonë mbërritën ekipet e emergjencës, të cilat i dhanë ndihmën e parë fëmijës dhe më pas e transportuan me urgjencë drejt spitalit pediatrik Regina Margherita.

Gjendja e të miturit paraqitet serioze. Ai vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa prognoza mbetet e rezervuar.

Hetuesit nuk po e trajtojnë ngjarjen thjesht si një aksident rrugor. Nga të dhënat e mbledhura deri tani është ngritur dyshimi se gruaja mund ta ketë goditur qëllimisht fëmijën, ndërsa si pistë për motivin po shqyrtohen konfliktet e mëparshme në marrëdhënien e saj me babain e 5-vjeçarit.

Drejtuesja e automjetit është ndaluar dhe ndaj saj është ngritur akuza për tentativë vrasjeje.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të rindërtuar sekondë pas sekonde lëvizjen e automjetit dhe rrethanat që çuan në përplasjen e fëmijës, si dhe për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një veprim të paramenduar.