Hetimet
Një sherr me armë zjarri shkaktoi panik në orët e vona të së dielës, kur gjashtë të rinj janë konfliktuar pranë shkollës “Kongresi i Lushnjës”, te rruga “Bardhyl”. Sipas policisë, konflikti ka nisur për motive banale në një nga lokalet e zonës, ndërsa pas fjalëve grindja është përshkallëzuar në përdorimin e pistoletave duke alarmuar banorët e zonës dhe më pas forcat e rendit. Shkëmbimi i zjarrit fatmirësisht nuk ka shkaktuar as viktima dhe as të plagosur, por vetëm dëme materiale, ndërkohë që banorët kanë përjetuar disa minuta panik, duke qëndruar të shtrirë në banesat e tyre nga frika e plumbave. Sipas policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, plumbat e pistoletave kanë kapur një makinë të tipit “Ford”, por fatmirësisht në automjet nuk ka pasur njeri. Bazuar në dëshmitë e marra nga policia, nisi puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, por vetëm mëngjesin e së hënës ka pasur disa shoqërime në komisariat. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se kanë marrë në pyetje pronarin e lokalit, ku nisi edhe konflikti. Sipas policisë, është arritur të bëhet identifikimi i tre prej autorëve, të cilët mendohet se janë banorë të zonës te rruga “Bardhyl”.