Ndërron jetë ish-mjeku i ekipit Luftëtari, Tahir Bitri
Shkaku
Mësohet se automjeti tip “Ford”, që drejtohej nga Entela Bitri, ishte duke dalë nga rruga e fshatit Vanistër. Në autostradë është goditur në pjesën e pasme nga furgoni “Ford” taksi. Ky i fundit u përplas me automjetin “Reno Klio” duke u përmbysur
Një aksident i rëndë automobilistik, ku u përfshinë tri automjete, që u mori jetën tre personave, tre të plagosur rëndë dhe 9 të plagosur lehtë, ka ndodhur të dielën në mesditë në kthesën e Vanistrës në autostradën Gjirokastër–Kakavijë, rreth 13 km në jug të qytetit. Burime zyrtare të policisë pohojnë se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 14:00, dhe se 15 persona janë prekur nga kjo ngjarje, prej të cilëve më pas kanë humbur jetën tre persona.
Në drejtim të vendngjarjes është nisur patrulla e njësisë rajonale të qarkullimit rrugor Gjirokastër, patrulla e përgjithshme e komisariatit, si dhe grupi hetimor, të cilët krahas ndihmës për të plagosurit, kanë nisur hetimet për shkakun e aksidentit. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, në fillim janë përplasur dy automjete, autovetura tip “Ford” me targa TR 64 15 T, me të cilin udhëtonin tre pjesëtarë të familjes Bitri, furgoni tip “Ford Taksi” me targa Gj 252 A, në të cilin udhëtonin 10 persona dhe më pas në aksident është përfshirë edhe autovetura tip “Reno Klio” me targa Gj 1348 B.
Mësohet se automjeti tip “Ford” me targa TR 6415 T, që drejtohej nga Entela Bitri e që udhëtonte së bashku me dy prindërit e saj, bashkëshortët Tahir dhe Ereniqi Bitri, ishte duke dalë nga rruga e fshatit Vanistër. Në autostradë është goditur në pjesën e pasme nga furgoni “Ford” taksi, në të cilin udhëtonin 10 pasagjerë në drejtimin Gjirokastër-Sarandë, ndërsa automjeti i tretë “Reno Klio”, në të cilën ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit, udhëtonte në drejtimin e kundërt Kakavijë–Gjirokastër. Ai është përplasur me furgonin dhe e ka përmbysur atë.
Si pasojë e këtij aksidenti tragjik, mësohet se të tre pjesëtarët e familjes Bitri janë plagosur rëndë dhe u dërguan në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ndërkohë që mjeku i njohur gjirokastrit Tahir Bitri, 73 vjeç, ka humbur jetën porsa ka mbërritur në spital. Deri në orët e mbrëmjes, bashkëshortja dhe e bija e tij nuk kanë mundur të mësojnë për vdekjet e bashkëshortit dhe babait, një mjek i njohur infeksionist dhe ish-mjeku i skuadrës së futbollit Luftëtari të Gjirokastrës.
Ndërkaq, në automjetin tip “Ford” taksi me targa Gj 252 A, në momentin e aksidentit udhëtonin 10 pasagjerë, prej të cilëve Sose Nikolla 70 vjeç, lindur në Golem të Gjirokastrës dhe banuese në qytetin e Sarandës, dhe Shpëtim Çela 26 vjeç nga Korça, kanë humbur jetën në spital. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, tre prej të plagosurve janë transportuar për në Tiranë, Klodian Shuaipi i datëlindjes 1985 nga Berati, Ledjona Zeno, e datëlindjes 1984 nga Saranda, Ledjona Zeno e datëlindjes 1984 nga Saranda me helikopter, dhe Anxhela Bedaj e datëlindjes 1992 nga Golemi i Gjirokastrës, është transportuar me autoambulancë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Sipas ekspertëve të policisë rrugore të njësisë rajonale të qarkullimit rrugor Gjirokastër, ky është aksidenti më i rëndë që ka ndodhur gjatë këtij viti në Qarkun e Gjirokastrës dhe i dyti pas atij të ndodhur në të njëjtin aks Gjirokastër-Kakavijë, 5 vjet më parë, në afërsi të fshatit Grapsh, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 10 të tjerë.
Bëhet e ditur se krahas grupit hetimor të policisë vendase që shkoi në vendngjarje dhe që deri në mbrëmje ka kryer veprimet hetimore, në ndihmë të hetimeve ka ardhur nga Tirana edhe një grup ekspertësh të qarkullimit rrugor së bashku me një grup ekspertësh autoteknikë. Mësohet se deri në orët e vona, grupet hetimore kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Mjekët dhe personeli i spitalit të Gjirokastrës manifestoi një gatishmëri të lartë, duke u angazhuar tërësisht për të dhënë ndihmën e parë dhe për të ndërhyrë në të gjitha rastet për të shpëtuar të plagosurit, një pjesë e të cilëve pas ndërhyrjes u mbajtën nën kontroll në repartin e reanimacionit. Tre prej tyre, të plagosur më rëndë, u transportuan me dy helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe një autoambulancë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar.
Si përfundim, bilanci tragjik i aksidentit të ndodhur dje në mesditë në Gjirokastër, shënon tre persona që kanë humbur jetën, janë plagosur rëndë dhe në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak tre të tjerë dhe janë plagosur më lehtë 9 persona të tjerë. Aktualisht, ndodhen të shtruar në Spitalin Gjirokastër 7 shtetas jashtë rrezikut për jetën, si dhe të plagosurit lehtë kanë dalë nga spitali. Personat që lanë spitalin janë dy drejtuesit e automjeteve të furgonit taksi dhe të automjetit “Reno Klio”. E.S.
LISTA E TË LËNDUARVE NGA AKSIDENTI:
1. Autovetura tip “Ford” me targa TR 64 15 T
– Tahir Bitri, 73 vjeç, vdes pas aksidentit sapo mbërrin në spital;
– Entela Bitri, drejtuese e mjetit, plagoset dhe trajtohet në Spitalin Rajonal Gjirokastër;
– Ereniqi Bitri, 67 vjeç, plagoset dhe mjekohet në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
2. Furgoni tip “Ford” taksi me targa Gj 252 A
– Xhevair Lika, i datëlindjes 1963 nga Gjirokastra, drejtues i automjetit, i plagosur lehtë;
– Sose Nikolla, 70 vjeçe nga Golemi i Gjirokastrës, e cila ka humbur jetën në spital;
– Shpëtim Çela, i datëlindjes 1986 nga Korça, ka humbur jetën në spital;
– Klodian Shuaipi i datëlindjes 1985 nga Berati, është transportuar në gjendje të rëndë me helikopter për në Tiranë;
– Ledjona Zeno, e datëlindjes 1984 nga Saranda është transportuar në gjendje të rëndë me helikopter për në Tiranë;
– Anxhela Bedaj, e datëlindjes 1992, nga Golemi i Gjirokastrës, është transportuar me ambulancë për në Tiranë;
– Ana Zeno, 5 vjeçe nga Saranda, është jashtë rrezikut për jetën në spitalin Gjirokastër;
– Arben Sulejmani, i datëlindjes 1985 nga Saranda, është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Gjirokastrës;
– Iliaz Beqiri i datëlindjes 1989, nga Delvina, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Gjirokastrës;
– Alket Musaraj, i datëlindjes 1987 nga Saranda, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Gjirokastrës;
– Anxhelo Abazi, i datëlindjes 1992 nga Delvina, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
3. Në automjetin tip “Reno Klio” me targa Gj 13 48 B
– Lester Alikaj, i cili udhëtonte i vetëm në automjet, nuk ka pësuar dëmtime të rënda.