Policia ka identifikuar dhe kapur drejtuesin e automjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik në Rrashbull të Durrësit, në aksin Shkozet–Shijak, ku humbi jetën 41-vjeçari Vasil Hasani.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të së premtes, teksa Hasani po udhëtonte me biçikletë në drejtim të banesës. Ai u përplas nga një automjet, ndërsa drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i aksidentit pa i dhënë ndihmën e nevojshme.
Për rreth katër orë, 41-vjeçari dyshohet se ka qëndruar i shtrirë në rrugë, në errësirë. Vetëm rreth orës 06:00, një kalimtar e ka konstatuar dhe ka njoftuar autoritetet, por në atë moment ai kishte ndërruar jetë.
Humbja e Vasil Hasanit ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të mitur, dy djem 14 dhe 10 vjeç dhe një vajzë 13-vjeçare, si dhe prindërit e moshuar.
Pas tragjedisë, familjarët kanë hapur një fushatë në GoFundMe për të mbështetur familjen Hasani në përballimin e vështirësive pas humbjes së 41-vjeçarit.
Apeli për ndihmë është bërë nga nipi i viktimës, i cili u kërkon qytetarëve të kontribuojnë sipas mundësive, në mënyrë që bashkëshortja dhe tre fëmijët e Vasilit të kenë mbështetje në këtë periudhë të vështirë.
