Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për producentin Petri Bozo. Vendimi është dhënë pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës, ndërsa producenti do të vijojë të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.
Burime nga seanca për gazetarin Fatmir Popja, bëjnë me dije se prokuroria ka paraqitur provat dhe argumentet mbi bazën e të cilave ka kërkuar masën më të rëndë të sigurisë, kërkesë që është pranuar nga gjykata. Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, seanca u zhvillua këtë të mërkurë, më 28 maj 2026, ku kërkesa e Prokurorisë së Elbasanit u shqyrtua nga gjyqtarja Suela Lika. Prokuroria u përfaqësua në seancë nga prokurori Adnan Hoxha.
Avokatët mbrojtës të Petri Bozos kanë kundërshtuar masën, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie, por trupa gjykuese vendosi lënien e tij në burg. Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe pritet që në ditët në vijim të ketë reagime dhe zhvillime të tjera lidhur me çështjen.
Vendimi i Gjykatës Elbasan:
“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi:
-Të pranojë kërkesën e Prokurorisë;
-Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të P.B., të kryer më 25 maj 2026;
-Të caktojë ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Sipas dosjes hetimore, P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal, që lidhet me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Gjykata urdhëroi që i dyshuari të dërgohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, në dispozicion të organit procedues, ndërsa ngarkoi Prokurorinë dhe policinë gjyqësore për zbatimin e vendimit.
Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 ditëve nga njoftimi i tij”.
