Regjisori Petri Bozo është arrestuar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Elbasan, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar pranë zonës së shkollës.
Në dëshminë e parë të dhënë para uniformave blu, Bozo ka deklaruar se po lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesve të shpejtësisë në rrugë.
Sipas tij, në momentin e ngjarjes kishte përshëndetur një efektiv policie që ndodhej pranë zonës dhe më pas ka ndjerë përplasjen.
“Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Kam përshëndetur një oficer policie që ndodhej aty. Më pas kam goditur një objekt. Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjej përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën”, mësohet të ketë deklaruar ai në polici.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit që tronditi qytetin e Elbasanit.
