Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur zonën e Martinsicuros, në rajonin e Abruzzos, Itali, ku një 47-vjeçar humbi jetën pas përplasjes me një automjet të drejtuar nga një shtetas shqiptar. Viktima është Emidio Croci, baba i tre fëmijëve, i cili ndërroi jetë në vend si pasojë e përplasjes fatale.

Sipas mediave italiane, drejtuesi i mjetit të dyshuar është një 41-vjeçar shqiptar me inicialet A.K., banues në San Benedetto del Tronto. Ai ndodhej në timonin e një “Mercedes-Benz A-Class” dhe, sipas hetimeve paraprake, po udhëtonte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes me një tjetër mjet, një SUV Mercedes GLB, në të cilin ndodhej familja Croci.

Përplasja ka pasur pasoja tragjike: Emidio Croci vdiq në vend, ndërsa bashkëshortja e tij u transportua me urgjencë në spitalin e Sant’Omero, në gjendje të rëndë. Djali i tyre 11-vjeçar, i cili pësoi goditje të rënda në kokë, u dërgua me helikopter në një spital në Ankona dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas aksidentit, 41-vjeçari shqiptar dhe pasagjeri i tij u larguan në këmbë, duke braktisur vendin e ngjarjes dhe pa ofruar ndihmë për të plagosurit.

Pas disa orësh kërkimi intensiv nga policia, shqiptari u vetëdorëzua në komisariatin lokal. Ai më pas u shoqërua në spital për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra gjatë aksidentit. Aktualisht ai është nën hetim nga Prokuroria e Teramos për vrasje rrugore dhe braktisje të vendit të ngjarjes, ndërsa dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.

Ndërkohë, pasagjeri i dytë që ndodhej në automjet vijon të jetë në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e spitalit të Teramos dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për procedurat hetimore të mëtejshme.