Xhelal Muka, 65 vjeç, është arrestuar nga Policia pasi dyshohet se përplasi për vdekje një 74-vjeçare në autostradën “Durrës-Tiranë” dhe u largua nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë.
Në pranga ka rënë edhe djali i tij, Benard Muka, 32 vjeç, i cili ndodhej në automjet në momentin e aksidentit.
Sipas Policisë, pas përplasjes, babë e bir janë larguar nga vendi i aksidentit dhe nuk kanë njoftuar autoritetet. Gjithashtu, 32-vjeçari dyshohet se ka fshehur automjetin tip “Mercedes Benz” dhe ka riparuar dëmtimet e shkaktuara nga aksidenti.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:10 të datës 23 korrik në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku humbi jetën shtetasja M. T., 74 vjeçe.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar automjetin e përfshirë në aksident, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijojnë hetimet dhe veprimet procedurale për zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave të aksidentit në autostradën “Durrës-Tiranë”.
Identifikohet dhe arrestohet 65-vjeçari që përplasi me automjet, me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe.
Në pranga dhe djali i 65-vjeçarit, pasi së bashku, u larguan nga vendi i aksidentit, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, dhe nuk njoftuan Policinë.
Gjithashtu, 32-vjeçari fshehu automjetin dhe e riparoi për të penguar zbulimin e së vërtetës.
Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Mercedez Benz”.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që përplasi me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe, rreth orës 04:10 të datës 23.07.2026, në autostradën “Durrës-Tiranë”, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar të rastit, shtetasin Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës.
Më tej, në vijim të veprimeve u arrestua djali i 65-vjeçarit, shtetasi B. M., 32 vjeç, banues në Durrës, pasagjer në automjet, në momentin e aksidentit.
2 të arrestuarit dyshohet se janë larguar nga vendi i aksidentit, menjëherë pas përplasjes, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, si dhe pa njoftuar Policinë.
Më pas, 32-vjeçari dyshohet se me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës, ka fshehur automjetin tip “Mercedez Benz” të përfshirë në aksident, si dhe ka riparuar dëmet që i ishin shkaktuar nga përplasja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
