Por, cila është gjeneza e dosjes “Veliaj”? Në korrik të vitit 2023, në Prokurorinë e Posaçme mbërriti një denoncim i firmosur me emrin “Nesti Angoni”, ku ngriheshin pretendime për marrëdhënie të jashtëligjshme financiare mes Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës, dhe disa kompanive ndërtuese.
SPAK administroi zyrtarisht informacionin dhe hetimi u shndërrua në procedimin penal nr. 27 të vitit 2024. Por, ajo që u konsiderua e pazakontë ishte fakti se “Nesti Angoni” ishte një person imagjinar, pasi në regjistrin e Gjendjes Civile nuk ekzistonte si person!
Madje, mbrojtja pretendon se zarfi i dërgimit të denoncimit nuk ekziston. Pyetjet që ngelën mister ishin se kush e shkroi? Kush e dërgoi? Kush e futi në sistemin e drejtësisë atë material që të linte të kuptohej se ishte shkruar nga njerëz që dikur ishin pjesë e të njëjtit kah?
“Kjo ka nisur me një gjë që nuk ekziston, Nesti Angoni, dhe kjo është tamam, për mendimin tim, si ato të sigurimit të vjetër, ku ti thua, ne duam t’i gjejmë një faj këtij patjetër, do ta kamuflojmë të gjithën këtë me një njeri anonim. Fillimisht duket e lëshuar për mediat, pastaj, duke i bërë këtë presingun bashkëshortes së vet dhe familjes së vet, edhe në finale do ta çojmë prapa hekurave.”
“Kemi një nxitje të hetimeve apo të shkatërrimit politik dhe penal juridik nga klani tjetër i Ballukut dhe këtu mjafton të themi vetëm denoncimin e Nesti Angonit që vjen nga mazhoranca…”, u shpreh Arion Sulo, analist.
Prokuroria ndërtoi një dosje ku pretendonte se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kishin krijuar një mekanizëm përmes të cilit kompani dhe organizata që kishin përfituar nga Bashkia e Tiranës, më pas kishin sjellë përfitime financiare ose pasurore te subjekte të lidhura me familjen e kryebashkiakut.
“Sa më sipër, arrihet në konkluzionin logjik se kontratat e qirasë të nënshkruara midis shtetases Ajola Xoxa dhe Qendrës Harabel, janë përpiluar fiktivisht me qëllim kalimin e fondeve nga Qendra Harabel në llogaritë bankare të shtetases Ajola Xoxa dhe deklarimin e tyre si të ardhura të ligjshme në Deklaratën e Interesave Private të ILDKPKI”…
Sipas SPAK, kompani që përfitonin leje ndërtimi, kontrata apo fonde publike nga bashkia shfaqeshin më pas në marrëdhënie financiare me organizata të lidhura me Ajola Xoxën.
“Sipas organit procedues, i gjithë mekanizmi që përmendet më lart, i cili nis që nga subjekti tregtar ‘Fusha’ sh.p.k., vijon me kalimin e një sasie të hollash, rreth 2.600.000 lekë, dhe kalimi nga këto të fundit tek destinacioni fundor që rezulton të jetë shtetasja Ajola Xoxa, dëshmon qartë të gjithë rrugën e ndjekur për pastrimin dhe injektimin në sistemin bankar të përfitimeve të paligjshme.”
