Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tragjedinë që ndodhi në Adamuz të Spanjës, ku përplasja e dy trenave i mori jetën 39 personave.
Përmes një mesazhi në “X”, Rama shprehu ngushëllimet e tij më të thella për familjet e viktimave dhe solidaritetin me popullin dhe Qeverinë e Spanjës.
Duke i drejtuar një mesazh kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, Rama shprehu trishtimin e tij për lajmin e aksidentit dhe theksoi se mendimet dhe lutjet e tij janë me ata që humbën të dashurit e tyre, si dhe me të gjithë ekipet e emergjencave që po punojnë pa pushim për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie.
“I dashur Pedro,
Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz.
Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.
Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie“, shkruan Rama në mesazhin e tij.
