SPAK ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të cilët dyshohen se kanë organizuar një atentat ndaj Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij në fshatin Rranxë të Vaut të Dejës.

Sipas hetimeve, grupi i armatosur kishte shkuar me mjete të blinduara drejt zonës me qëllim ekzekutimin e Prendit, por plani nuk është realizuar pasi, sapo kanë hyrë në fshat, janë përballur me të shtëna arme nga vetë Aleksandër Prendi.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tyre akuza për “vrasje në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes” dhe “armëmbajtje pa leje”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nën hetim është vendosur edhe Aleksandër Prendi, i cili akuzohet për vrasje në tentativë, pasi dyshohet se ka hapur zjarr gjatë përplasjes së armatosur mes palëve.

Nga hetimet rezulton se gjatë shkëmbimit të zjarrit nuk pati viktima apo persona të plagosur, por vetëm dëme materiale në automjete. Një prej mjeteve të përdorura nga grupi i dyshuar u gjet i dëmtuar, pa targa shqiptare dhe i paregjistruar.

Aktualisht, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani ndodhen në paraburgim, pasi janë vetëdorëzuar në polici. Ndërkohë, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.