Deputetja Iris Luarasi ka reaguar pas pretendimeve se aktivistja që u përfshi në përplasjen verbale me të gjatë protestës ishte shoqëruar në polici pas një denoncimi prej saj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Luarasi i ka cilësuar këto raportime si “fake news”, duke sqaruar se nuk ka bërë kallëzim ndaj aktivistes.

Sipas deputetes, shoqërimi i protestueses lidhet me një tjetër ngjarje të ndodhur gjatë protestës, konkretisht me dëmtimin e pasqyrës së automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi.

Ndërkohë, policia ka bërë me dije se protestuesja Arvina Lleshi është proceduar në gjendje të lirë.

Luarasi ka deklaruar gjithashtu se deri në këtë moment nuk ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj personave që, sipas saj, e kanë denigruar gjatë protestës. Ajo ka kundërshtuar edhe publikimin e një imazhi të manipuluar, ku fytyra e saj ishte vendosur mbi trupin e një gruaje tjetër.

Reagimi i plotë i Luarasit:

FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.

Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.

Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari.