Deputeti Klevis Balliu ishte i ftuar sot në “Shqipëria Live”, ku ka zbardhur detaje të reja në lidhje me debat që ka ndodhur gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, të shtunën.

Balliu u shpreh se gjatë diskutimit, Salianji e ka pranuar se ka qenë një ndër personat që kërkoi firmat për kandidatët për Avokatin e Popullit, mes tyre dhe Endrit Shabanin. Ai shtoi se edhe Ina zhupa ka bërë të njëjtën gjë.

“Përplasje mendimesh ka 13 vite që ka prandaj është PD. Vetë Ervini e pranoi se mund të ishte i keqinformuar. Kishte disa gjëra që nuk shkonin sepse PD e ka denoncuar gjyqin politik të Ervinit, krah për krah me hetimin ndaj Berishës. Por fakti që Rama është në pushtet akoma tregon që nuk kemi bërë mjaftueshëm dhe të gjithë demokratët janë të të njëjtit mendim. I pari që e thotë këtë është Berisha.

Për Shabanin kam firmosur dhe unë, ka një përgjegjësi për ata që kanë firmosur por dhe për ata që kanë kërkuar firma. Ervin Salianji ka kërkuar firma, ka lobuar edhe për Shabanin. E pranoi vetë në mbledhje. Për Shabanin mua ma ka kërkuar Ina Zhupa në fakt. Nuk kemi patur dakordësi, por nuk iu kushtua po ashtu edhe shumë vëmendje. Ishte gabim ndërsa për Flamur Nokën, është i vetmi që nuk ka firmosur. Është një amulli që është ngritur kundër tij sepse ka denoncuar Ballukun, por edhe sepse ‘ekzekutonte’ në mënyrë perfektë rithemelimin. Pushteti nuk ia fal sepse shpëtoi PD-në. Ka një mijë gabime, por ai është i vetmi që nuk ka firmosur, na ka bërtitur ne që firmosëm.”- tha ai.