Gruevski akuzohet si një diktator që po e zhyt vendin në borxhe
Opozita në Maqedoni bën thirrje për mosbindje civile
Opozita socialdemokrate në Maqedoni bëri thirrje për akte të mosbindjes civile, pasi qeveria miratoi buxhetin e shumëdebatuar për vitin 2013 në mes të protestave masive, bën të ditur Balkaninsight. Në një fjalim të mbajtur jashtë Parlamentit, udhëheqësi i opozitës, Branko Crvenkovski, akuzoi partinë në pushtet të Kryeministrit Gruevski për sundim totalitar.
“Sot Maqedonia ka Millosheviçin e vet”, tha ai duke krahasuar Gruevskin me Sllobodan Millosheviçin. “Ai dëshiron të jetë Millosheviç dhe do të ketë fundin e tij”, shtoi ai. Qeveria e miratoi buxhetin në mungesë të opozitës dhe pasi përzuri me dhunë gazetarët që po filmonin ngjarjen. “Duke filluar nga nesër ne do të fillojmë luftën e mosbindjes civile dhe do të luftojmë deri në fund. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues në vend”, shtoi Crvenkovski.
Opozita e akuzon qeverinë se po zhyt vendin në borxhe për të mbajtur pushtetin përmes një politike populiste dhe nacionaliste, si dhe përmes metodave të përhapjes së frikës mes maqedonasve nga shqiptarët, duke krijuar shpesh përplasje të karakterit etnik si mjet për të forcuar radhët në partitë e mazhorancës. Shoqata e gazetarëve protestoi ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të përdorur forcat policore kundër gazetarëve në detyrë. Presidenti i shoqatës, Naser Selmani, tha se qeveria ka arritur “kulmin në sjelljen e saj të papërgjegjshme”.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së shprehën shqetësim për përdorimin e policisë në Parlament, përfshirë përzënien me dhunë të gazetarëve.
Gruevski ka arritur të ruajë pushtetin në Maqedoni përgjatë viteve të fundit për shkak të dobësisë së madhe të opozitës nga njëra anë, si dhe metodave të politikës populiste në anën tjetër. Ai e ka mbushur kryeqytetin me statuja dhe ndërtesa monumentale shumë të kushtueshme në kushtet e krizës ekonomike dhe analistët vendës thonë se sa herë që sheh rigjallërim të pakënaqësisë, hap sherre nacionaliste false me shqiptarët për të tërhequr vëmendjen e popullatës nga problemet ekonomike të vendit.